
Migen Memelli është prezantuar këtë të martë si trajneri i ri i Vllaznisë së Shkodrës. Korçari është prezantuar nga drejtori sportiv Elvis Plori, i cili ka bërë të ditur se zëvendës trajner do të jetë Ndriçim Shtubina.
Pas zyrtarizimit, Memelli foli për mediat duke thënë se do të punojë me ndershmëri për ta bërë Vllazninë një skuadër sa më kompetitive.
“Dua të falënderoj klubin, njerëzit që e përfaqësojnë, presidentin dhe drejtorin Plori që më besuan detyrën e trajnerit. E di që është punë shumë e vështirë të jesh trajneri i Vllaznisë, më është ngarkuar një përgjegjësi shumë e madhe. Nisur nga ky fakt dua të shtoj, që pa dashur të futem më thellë, po i bie shkurt, e fundit është që do të mundohem në bindjen time të jem një njeri i ndershëm e sa më punëtor për objektivat e Vllaznisë.
“Objektivat? Së pari është formimi i skuadrës, të formojmë një skuadër sa më konkurruese. Pastaj është të hedhim hapa të vegjël dhe të sigurt. Ajo që na bind dhe është detyrë, është që nga nesër të fillojmë përzgjedhjen për të ndërtuar një skuadër sa më kompetitive për qytetin, tifozët e klubit. Shkodra meriton një skuadër kompetitive, një ekip që ka dëshirë për të ecur përpara. Në katër vitet e fundit Vllaznia ka fituar Kupën dhe është përfaqësuar në Europë, në sajë të kësaj vazhdimësie na bie për detyrë të bëjmë të njëjtën gjë”, tha trajneri i ri i Vllaznisë.
Tirana ka zyrtarizuar dy lëvizje të rëndësishme në këtë merkato, duke afruar në ekip portierin Gentian Selmani, i cili ka qenë edhe pjesë e Kombëtares dhe sulmuesin brazilian Kaina Nunes, i cili ka qenë pjesë e Vllaznisë.
Dy lojtarët janë zyrtarizuar nga klubi bardheblu me anë të postimeve në rrjetet sociale. Kaina humbi vendin në formacion te shkodranët pas afrimit të Bekim Balajt. Në 2 sezone në Superiore, Kaina ka shënuar 12 gola në 52 ndeshje të luajtura, të ndara mes Kastriotit dhe Vllaznisë.
Ndërkohë, portieri 25-vjeçar luajti në 17 ndeshje sezonin e fundit me Laçin. Ai numëron 4 paraqitje me skuadrën e parë të Shqipërisë, sakaq ka mbajtur veshur plot 17 herë fanellën e kuqezinjve U21.
Lini një Përgjigje