Nga lufta te shkëlqimi me Mallorca, Muriqi: Punoj që 9 vjeç, lashë shkollën për futbollin

12 Janar 2023, 21:30Sport TEMA

Nga lufta te shkëlqimi me Mallorca, Muriqi: Punoj që 9 vjeç,

Vedat Muriqi ka fituar zemrat e tifozëve të Mallorcas duke u kthyer në liderin e ekipit. Sulmuesi dardan është shënuesi më i mirë i skuadrës, ndërsa tashmë ka marrë dhe nofkën “Pirati”. Sulmuesi ka patur një rrugëtim të gjatë, teksa e ka nisur në Kosovë karrierën e tij, për të vijuar më pas në Shqipëri, Turqi, Itali e tani në Spanjë.

Në një rrëfim për Marca, sulmuesi i lindur në Prizren tregon për aventurën në La Liga, rrugëtimin nga fëmijëria e tij, ku zbulon se ka lënë shkollën për t’iu dedikuar futbollit e për të ndihmuar familjen. Autori i 8 golave në La Liga, zbuloi se trajneri Javier Aguirre bëri ndryshimin në skuadër, ndërsa vetë ai nuk do të largohet nga Mallorca, edhe pse jo gjithçka është në dorën e tij, pasi klubi vendos për të ardhmen.

Ne ishim ekipi i fundit që edicionin e shkuar mendonim për pushimet. Katër ndeshjet e fundit ishin të vështira, por ne arritëm që të merrnim 10 pikë, pasi kishim shumë besim dhe dëshirë. Ky sezon ka nisur mirë. Fitorja me Valladolid na ka dhënë shumë besim, pasi periudha pas pushimit është e vështirë. Nuk e doja këtë ndërprerje, por shpresoj që të vazhdojmë me rimtin e mëparshëm.

Merkato? Nuk e kam menduar largimin për asnjë moment, por nuk varet nga unë, pasi nëse vjen një ofertë që të bindë klubin, atëherë unë nuk mund të them asgjë. Kam një kontratë afatgjatë dhe dëshira ime është që të qëndroj këtu. Jam i lumtur si unë ashtu dhe familja ime. Kam gjetur hapësirën që dua dhe nuk e kam menduar asnjë moment të largohem.

Pas eksperiencës fantastike tek Fenerbahçe, Muriqi nuk gjeti hapësira te Lazio. Sulmuesi tregon si ka qenë ky rrugëtim, ndërsa shtoi se e dinte se te Mallorca do të rilindte. “Unë kam një mentalitet shumë të fortë. Kam kaluar dy muaj te Lazio, që do i konsideroja shumë të këqija në çdo aspekt. Gruaja, në atë kohë më ndihmoi shumë, ajo ishte me mua në çdo moment.

E prisja me padurim aventurën në Spanjë, pasi mora vesh nisjen e bisedimeve, por isha i vetëdijshëm se mund të ishin muajt e fundit në nivele të larta, ndaj duhet t’i bëja gjërat siç duhej. Këtu më është dhënë besim që në ditën e parë, si nga klubi ashtu dhe nga tifozët. Në këtë mënyrë doja t’ua shpërbleja besimin që më dhanë”.

28-vjeçari ka një lidhje të ngushtë dhe me tifozët, me këta të fundit që e quajnë “Pirati’, nofkë që sulmuesit i pëlqen dhe ka nisur ta përdorë edhe gjatë festimeve të golave. “Tifozët janë të mrekullueshëm dhe të qetë. Ata na mbështesin edhe kur nuk luajmë mirë apo humbasim. Më kujtohet humbja 2-6 me Granadën, ne menduam se do të binim nga kategoria, por tifozët jo, ata besuan te ne dhe na kanë mbështetur shumë.

Natyrisht që kur shënon dhe lufton shumë për ekipin ata të duan. Unë dua t’i falënderoj një mijë herë, pasi më kanë bërë të ndihem si në shtëpi”. Sa i takon skuadrës, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës analizon dhe stilin e lojës, duke pranuar se skuadra ka një tendencë për të luajtur e tërhequr në mbrojtje.

Unë jam një sulmues dhe detyra ime është që të shënoj gola. Është e vërtetë që ne luajmë pak në mbrojtje, por në fundin e edicionit të shkuar askush nuk pyeti si kemi luajtur kur siguruam qëndrimin në elitë. Personalisht nuk do të doja të luaja kundër Mallorcas, pasi jemi një ekip paksa i dëshpëruar. Ndonjëherë duket sikur nuk bëjmë asgjë, por më pas rrëmbejmë një top, shënojmë gol dhe kthehemi në shtëpi”.

Muriqi komentoi dhe Javier Aguirre. Me trajnerin meksikan duket se ka një lidhje të afërt. “Që në momentin kur erdhi këtu, ai ka qenë shumë i sjellshëm me të gjithë. Kur ai mbërriti në klub, ne kishim 12 ndeshje pa fituar dhe ishim në një moment të vështirë. Ai punoi shumë, sidomos në mospësimin e golave, çka na dha shumë besim.

Skuadra ka ndryshuar shumë këtë edicion, por nuk do të thosha 100%. Ai ka përfshirë eksperiencën e tij, është shumë i disiplinuar dhe kjo më pëlqen shumë”. Futbollisti i lindur në Prizren tregon dhe kohën e luftës së Kosovës, kohë kur ai ka qenë i ri, por ende në memorien e tij është momenti që u detyrua të largohej bashkë me familjen.

Mendoj se askush nuk duhet që të jetojë atë që kam parë unë gjatë atyre viteve. U desh të largoheshim nga shtëpia bashkë me familjen, pasi erdhën disa ushtarë dhe na thanë se do të vendosnin bomba duke na urdhëruar të largoheshim. Ishe një kohë shumë e vështirë, ne shkuam në Shqipëri”.

Muriqi zbulon se futbolli nuk ka qenë puna e tij e parë, duke treguar se fillimisht ai ka punuar në një restorant që në moshën 9-vjeçare, ndërsa edhe raportet me shkollën i ka ndërprerë për shkak se duhet të ndihmonte familjen.

Në fillim nisa punë në restorantin e dajave të mi, kur isha vetëm 9 vjeç. Bëja gjithçka, kamarierin, ndihmësin në kuzhinë etj. E gjitha kjo vazhdoi deri kur u bëra 16 vjeç kur shkuam në Shqipëri. Në atë kohë më duhej të punoja për nënën dhe motrën, pasi babai im vdiq në luftë, ndaj vendosa të lë shkollën, por nuk mund të lija futbollin. Nuk ka qenë diçka e mirë që lashë shkollën, por tani them se kam qenë me shumë fat”.

Këtë edicion, Muriqi ka shënuar 8 gola në Spanjë duke qenë shënuesi i dytë më i mirë pas Robert Lewandowskit, ndërsa ka realizuar një gol në Kupën e Mbretit. 28-vjeçari u transferua përfundimisht në radhët e Mallorcas nga Lazio për shifrën e 7.7 milionë eurove, ndërsa ka një kontratë që e mban në ishull deri në verën e vitit 2027.

Lini një Përgjigje