
Nga Nju Jorku, Marko Caka
E kam njohur në picerinë e familjes patriotike sarandiote Dajko, në Gudhi të Athinës. Ishin vitet kur sapo kishte përfunduar karrierën e tij brilante Fotis Strakosha, i cili e merrte të birin, Thomasin e vogël, me vete kudo që shkonte. Marrëdhëniet e Fotit me njerëzit e afërt kishin mbetur gjithmonë të pandryshuara, saqë karriera dhe fama nuk kishin ndikuar aspak në to. Ai vinte shpesh bashkë me familjen në picerinë e mikut tim, Almend Dajko, duke i dhënë Thomasit mundësinë të mos shkëputej nga traditat e trashëguara prej prindërve.
Ndoshta pikërisht kjo e ka bërë atë që është sot, përveçse një talent i madh, Thomas Strakosha është edhe një djalë i mirë, i sjellshëm dhe me karakter. Mesa duket, Foti e kishte kuptuar herët se talenti të sjell famën dhe paranë, por kurrë nuk të bën njeri nëse nuk merr edukimin e duhur. Dhe këtë edukim ai kishte nisur t’ia jepte që fëmijë, duke e marrë me vete në çdo hap të jetës, për t’i treguar se thjeshtësia është rruga më e sigurt drejt dashurisë së njerëzve.
Ishin vite kur kudo flitej për babain e tij, por askush nuk e imagjinonte se i njëjti fat, madje edhe më i madh do ta priste djalin. Këtë e dinte vetëm i ati, i cili i kishte zbuluar herët aftësitë e Thomasit dhe e kishte orientuar drejt akademive elitare të futbollit.
Përtej portës dhe dritave të stadiumit, Thomas Strakosha mbetet një njeri i thjeshtë. Ata që e njohin nga afër flasin për një djalë të rezervuar, larg protagonizmit artificial, që zgjedh gjithmonë punën në heshtje në vend të fjalëve të mëdha. Është nga ata futbollistë që nuk e kërkojnë vëmendjen, por e fitojnë atë natyrshëm, sepse e meritojnë falë këmbënguljes së tyre. Disiplina, përulësia dhe respekti për fanellën janë parime të trashëguara nga i ati, jo si fjalë, por si mënyrë jetese.
Që i vogël, Thomas është rritur mes gjuhëve, kulturave dhe përgjegjësisë së të qenit “djali i portierit Strakosha”. Një barrë që shumë të rinj do ta kishin ndjerë si peshë, por ai e ktheu në motivim. Nuk u ngut kurrë të fliste për veten, por la gjithmonë që të fliste loja. Edhe në momentet më të vështira të karrierës, kur konkurrenca ishte e fortë dhe pritshmëritë të pamëshirshme, ai zgjodhi durimin në vend të justifikimeve dhe profesionalizmin në vend të ankesës. Madje, sipas deklaratave të vetë Fotit në media, sot shpesh i thonë se ai është “babai i Thomas Strakoshës”. Dhe ai ndihet jashtëzakonisht krenar për këtë, sepse karriera e tij brilante nuk u shua, por mori vazhdimësi përmes një trashëgimie që çdo baba do ta ëndërronte.
Suksesi i Thomas Strakoshës duket se nuk ka të ndalur. Ai po shndërrohet në vlerë si vera e vjetër, që sa më shumë kalojnë vitet, aq më i lartë bëhet niveli i tij. Kjo shihet jo vetëm te kombëtarja, por edhe te klubi i tij aktual, AEK i Athinës, ku gjithçka duket se lidhet me emrin e tij. Pritjet e tij vendimtare në ndeshjet e mëdha kanë sjellë rezultate pozitive dhe e kanë ngritur skuadrën në krye të klasifikimit. Nuk është rastësi që transferimi i tij ishte dëshirë dhe këmbëngulje personale e presidentit të AEK-ut, Dinos Iliopoulos. Rrallëherë kemi parë një president klubi kaq të lidhur emocionalisht me një lojtar, dhe aq më tepër me një portier. Tradicionalisht, tifozët e drejtuesit dashurohen me golashënuesit. Por te AEK kjo logjikë është përmbysur. Sot, për ta, Strakosha është simboli i skuadrës. Një status i pazakontë për vitet e para në një klub të ri, por i fituar me shpirt luftarak, i heshtur në fushë, por gjigant në pritje. Pritje që jo vetëm shpëtojnë ndeshje, por po ndërtojnë kryesimin në Superligën Greke. Pritje që e bëjnë portierin jo thjesht lojtar, por shtyllë identiteti.
Në një epokë futbolli ku zhurma shpesh vlen më shumë se përmbajtja, Thomas Strakosha është dëshmi se madhështia mund të jetë më mirë e heshtur për të. Ai nuk ka nevojë të flasë shumë, sepse flet porta që mbron. Nuk ka nevojë të ndërtojë mitin e vet, sepse po ndërton trashëgiminë që ja la i ati. Dhe ndoshta suksesi i tij më i madh nuk janë fama apo titujt, por fakti se, ashtu siç e deshi i ati, mbi të gjitha u bë njeri… e pastaj bëhesh kampion.
Babai e ka emrin Foto dhe ne si simpatizantë të tij e kemi dashur dhe duartrokitur me këtë emër. Çfarë ka ndryshuar rrugës nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe me ne shqiptarët. Meqë shkrimi është për ne, autori do të bënte mirë që të na shpjegonte edhe këtë ndryshim emri.
I ati e ka emrin Zotni burrë në rradhë të parë...dhe me atë emër të parë emrat e tjerë skanë rëndësi.. Më bëhet qejfi shumë që i ka ngjarë edhe i biri për nga emri i parë!
Le te shpjegoj Thomasi ose i ati Foto cdo te thot emri Helen ne greqisht. me pergjigjen e tij ne do te mesojme si te dallohet filogreku Arvanit nga filogreku romioi.
Bravo i qoft Foto Strakoshēs qē ka edukuar njē djal tē till tē sjellshēm e plot kultur e me edukat. Shkrimi ēshtē shum i mir por emrin e Fotos mos e ndrysho mor zotni vēre siç e ka pasur kur luante me Dinamon.
Shkrim i mire. Vleresim i vertete. Foto ishte mjaft njerezor. Me kembe ne toke. Me behet qejfi per Tomasin, i thjesht...
Nje fjale e vjetwr thote se dardha do bjere nen dardhe. Foto Strakosha u be i dashur per tifozerine shqiptare si portieri i kombetares sone. Kam kenaqesi te degjoj se edhe i biri vazhdon ne gjurmet e babait te tij. Para ca kohesh, ne nje interviste te dhene ne televizionin grek Thomasi deklaroi se ishte shqiptar nga Himara. A ka gje me te bukur kur nje i ri i lindur dhe i rritur ne vend te huaj deklaron me krenari original e tij shqiptare? Eshte pa dyshim merite e prinderve qe e rriten me dashuri per vendin e te pareve, por edhe e vete Thomasit qe respekton familjen dhe vendin e tij. Fotos dhe Thomasit i uroj jete te gjate dhe shendet.
THOMA, të na prish më 26 dhe 30 mars, të vaftë mbarë e mirë e shkëlqefsh!
per komentuesen " Një qytetare" Verejtja juaj eshte me vend Nese ky Mark qe vetquhet Marko ben te njejtin gabim dhe me ndryshimin e emrit nga Foto ne Fotis do ta quaja katundarizem.. Te kuptohemi qe ky zoti Mark eshte e natyreshme qe per nje gazete greke te thote Fotis por ne gazeta shqiptare eshte detyrim kombetar ta quaja Foto sipas opsionit arberor...perndryshe te na rroje atdhetarizmi i Markut pa "o" ne fund