Notat: Si vlerësohen kuqezinjtë në sfidën me Moldavinë

18 Nëntor 2023, 11:46Sport TEMA
Notat: Si vlerësohen kuqezinjtë në sfidën me Moldavinë

Kombëtarja shqiptare arriti për herë të dytë në histori kualifikimin në një kampionat Europian pas barazimit të marrë me Moldavinë në transfertë. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj notat dhe vlerësimet e futbollistëve kuqezinj që u aktivizuan në duelin e mbrëmjes së kaluar.

BERISHA 9 – Fenomenal. Pritje, personalitet, qetësi dhe mbi të gjitha sa shumë besim. Kur të gjithë nisën të “lëkundeshin”, i vetmi që mbajti presionin ishte ai. Dhe i frymëzoi të gjithë.

HYSAJ 7 – Luajti thjesht në mbrojtje. Nuk bëri asnjë gjë të jashtëzakonshme, por as edhe ndonjë gabim. U mjaftua të limitonte sulmet e rivalëve në atë krah dhe ia doli.
ISMAJLI 7.5 – E kishte lojën nën kontroll edhe nga mbrapa shpine. Luajti mirë në tokë, por ka mangësi, megjithëse shtatlartë, në duelet në ajër. Gjithsesi, ai jep shumë siguri me forcën dhe zgjuarsinë që ka.

GJIMSHITI 7.5 – I njëjti argument si me Ismajlin në planin taktik dhe atë të mangësive në ajër. Duhet t’i flasë më shumë skuadrës kur presioni shtohet.
MITAJ 7.5 – I vëmendshëm si gjithmonë. I zgjuar dhe racional. Vallëzon me topin dhe i demoralizon rivalët hera-herës.

RAMADANI 8 – Rul në mesfushë. Shkel çdo cep, përplaset, ndërton aksione, vertikalizon, u bërtet rivalëve, u bërtet shokëve. Oh, çfarë luani aty para mbrojtjes!

ASLLANI 8 – Mbron, ndërton, ndërron krahun me një thjeshtësi dhe ka vizion. Ndoshta i mungon pak guximi për të tentuar diçka më shumë drejt portës, ose ndoshta nuk ka dashur të “tradhtojë” Silvinjon me porositë që i kishte lënë. Gjeometër.

BAJRAMI 7.5 – Punuan së bashku me Asanin mjaft mirë nënisjen e aksioneve, por nuk u panë shumë para portës për asistin përfundimtar. Dukej paksa i lodhur. U mundua të bënte 2-3 veprime individuale, por pa sukses. (Nga minuta e 80-të, Gjasula- Përpiqet të ngrejë murin dhe moralin e skuadrës në një moment delikat, por ndoshta duhej më herët. Bëri atë që di të bëjë më mirë, të mbrojë dhe të vertikalizojë, por Shqipëria e kishte humbur busullën në sulm).

ASANI 7.5 – Këtë herë luajti pa top. Asnjë nuk e kupton këtë, por duhet thënë se ai lojtar tërhoqi dy mbrojtës gjithnjë në mbulimin që i bëhej. Vetëm në këtë aspekt ai ka kryer shumë mirë detyrat. Ai duhet të kuptojë një gjë tani: i ka dalë nami dhe nuk e tolerojnë më. Do të jetë gjithmonë me mbulim të dyfishtë. (Nga min 90+2′ Muja – Pa notë. Hyn vetëm për të fituar sekonda).

CIKALLESHI 8 – Ai nuk është vetëm lojtar, por edhe luftëtar. Shënoi golin që i dha qetësi ekipit duke mos falur nga pika e penalltisë, por sa shumë ndihmon në mbrojtje. Sa shumë sakrifikon.
(Nga minuta 62′ Daku 7 – E njëjta dëshirë, i njëjti objektiv, por këtë herë nuk bën dot mrekullinë, pra ta dërgojë topin sërish në rrjetë. Për aq minuta sa luajti, e justifikoi besimin).

SEFERI 8 – Siguron penalltinë me një vetëbesim të admirueshëm aty në zonë. Lum ai mbrojtës dhe mesfushor që luan në krahun e tij duke e pasur shok në ekip. Sulmon mirë dhe mbron po kaq mirë.

TRAJNERI SILVINJO 9 – Një notë më shumë, sepse erdhi për një mision dhe e përmbushi atë. Skuadra e tij e nis shkëlqyeshëm, vuan disi në pjesën e dytë, por merr atë që i duhej. “Obrigado mister”! (Panorama Sport)

5 Komente

  1. L
    Liku - Kush me shan per debat nuk ia mban

    Po ci keni keto nota , skuadra jone luajti ndeshjen me te dobet dhe mediokre. Nese bejme loje te tille ne evropian do te na turperojne.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Shpetim Kaçi

      Ore Liku , po u kualifikuam per ne europianin e Gjermanise , nuk e kuptij se çfar do me shume ti ! Per mua ekipi komplet meriton noten 10 . Plani u realizua 100 % dhe me cilesi te larte , themi ne ekonomistet . Vendi i pare ne grup .

      Përgjigjjuni
    2. R
      Raimond Vlonjati

      Kush i ka vendos keto nota ? Loja jone ishte e dobet pa mendim, pavaressht se ne aspektin Individual lojtaret tane qendronin me larte . Por qe loja qe bente ekipi jone ishte pa mendim fare, dhe mbrojtja ne qender sidomos ishte remuje., ndersa sulmi jone ishte i bllokuar. Ne na shpetoi Berisha nga golat qe mund te hanm . Trajneri duhet te mendoje variante loje si te sheprthej ne sulm , dhe meqense stoli jone eshte i njejte me ata qe lozin, Silvinjo duhej te bente nderrime lojtaresh 10minuta pasi filloi pjesa e dyte, sepse Mldavia po sullmonte dhe ky joni duhej te fuste 4 te tjere te fresket ne loje qe ta perballonte furine e Moldaveve . Ky beri ndryshime koti, futi ata dy kosovaret qe nuk bene azgje, Ky duhej te fuste ne loje Mucin qe eshte sulmues klasi, dhe i rrezikshem plus edhe Uzinin, dhe nja dy mesfushore , qe ti jepte energji lojes sulmuese

      Përgjigjjuni
      1. R
        Real Madrid 10

        Koment mese I drejte. Individualisht e vertete ne qendronim me larte edhe dukesh ne shume raste kur merrnim topin,po nuk kishte ate agresivitet ose shpejtesi ne konkludime. Ndoshta qellimi ishte marrja e nje pike( gje qe u arrit), por rrezikuam tej mase ne fund.Duhet te mesohemi t'i mbyllim ndeshjet sa me pare qe t'a bejme gjumin e qete edhe te tregojme superioritetin.Ndoshta duhej Bare edhe Laci,njeri per te ndihmuar Ramadanin,tjetri ti sherbente Dakut.Ndoshta Daku duhet te filloje nga minuta e pare. Ka me shume cilesi se Cikalleshi,qe duket se I ka ardhe dita per tu ulur ne stol edhe te luaj 10 minutat a fundit. Patjeter Broja do bente tjeter loje po te ishte.Megjithate , Silvinho ishte I fiksuar per barazim edhe donte me patjeter kualifikimin.Mund te ishte arritur me fitore. Ne jemi me lart se shume skuadra, perfshire edhe Moldavine.Ai e din me mire, por nuk na la shije te mire ndeshja.Na mbajti ne tension te pa nevojshem.

        Përgjigjjuni
      2. K
        Kreshnik male

        NDESHJE E DOBET FILLUAM PRAP TE PESOJM NE MINUTAT E FUNDI, ME POLONIN, MOLDAVIN. HARRUAN TE GJUAJN NGA DISTAMCA.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje