Paraqitjet e legjionarëve: Kuqezinjtë spikasin në Evropë

4 Mars 2024, 11:02Sport TEMA
Paraqitjet e legjionarëve: Kuqezinjtë spikasin në Evropë

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore në muajin mars ndaj Kilit dhe Suedisë. Teksa kanë mbetur edhe pak ditë nga grumbullimi i parë për këtë vit, legjionarët kuqezi vijojnë të dërgojnë sinjale pozitive për trajnerin Silvinjo.

Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionatin turk, pasi shënoi në sfidën Pendikspor-Konyaspor, që u fitua nga skuadra e tij me rezultatin 0-2. Sulmuesi i Kombëtares zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të falë një penalltie që e shndërroi në gol. Ky realizim ishte historik për Cikalleshin pasi u bë lojtari i huaj me më shumë gola (27) në historinë e Konyaspor.

Edhe Armando Sadiku gjeti rrugën e rrjetës në kampionat, teksa realizoi golin e tretë për skuadrën e tij Mohun Bagan në fitoren 3-0 ndaj Jamshedpur. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në minutën e 70-të dhe vulosi fitoren e Mohun Bagan me golin e tij.

Një paraqitje fantastike këtë fundjavë zhvilloi edhe Arlind Ajeti. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shënoi një gol shumë të bukur në barazimin e skuadrës së tij Cluj 1-1 ndaj Farul Constanta. Ajeti e nisi si titullar dhe përveç golit, bëri një paraqitje shumë të mirë duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes me notën 8.3, nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Goli këtë fundjavë erdhi edhe nga sulmuesi i shpresave, Cristian Shpendi i cili realizoi në sfidën Cesena-Entella. Golashënuesi më i mirë i kampionatit në Serinë C italiane, realizoi golin e dytë në fitoren e skuadrës së tij 4-0. Sulmuesi kuqezi tani numëron 17-të gola në kampionat.

Tituallarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Keidi Bare, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Arbnor Muçolli, Mirlind Daku dhe Rey Manaj, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Elseid Hysaj, Arbnor Muja dhe Armando Broja.

Lini një Përgjigje