Shqipëria U-21 dhe talentet e së ardhmes

13 Shtator 2023, 12:22Sport TEMA

Shqipëria U-21 dhe talentet e së ardhmes


Shqipëria e moshës deri në 21 vjeç jo vetëm që shkëlqen në fushën e lojës, por tanimë vërteton se ka dhe forcën përmbysëse. E këtë e tregoi më së miri dhe në ndeshjen e dytë kualifikuese të Kampionatit Europian 2025, teksa në “Elbasan Arena” triumfoi ndaj Rumanisë, 3-2. Nga 0-2 në 3-2, ndërsa janë shënuar tre gola në 15 minuta.

Gjashtë pikë në dy ndeshje, teksa është një kombëtare e mbushur me talente, të cilët luajnë jo vetëm në Kategorinë Superiore, por dhe në kampionatet më prestigjioze në Angli, Gjermani, Itali, Greqi e Belgjikë. Lilo te Panathinaikos e Selimaj te Paok. Kurtulan te Diarbakirspor, Ismaili te Anderleht, Berisha te Leçe, Pajaziti te Fulham, Stiven Shpendi te Empoli, Rexhepi te Hamburg, Kristian Shpendi te Çezena janë ato që përfaqësojnë “ajkën” e kësaj përfaqësueseje. Sigurisht pa harruar kontributin e Dajko e Bibo të Laçit, Smajlit të Vllaznisë, Buxhelajt të Partizanit, Pecanit e Nikajt të Skënderbeut.

Janë një kombëtare me të ardhme e jo më kot në këtë periudhë kanë dalë triumfator në tre ndeshje. 3-1 në miqësoren e qershorit me Bullgarinë, 2-1 në transfertë me Armeninë dhe 3-2 me Rumaninë. Në fakt është grup i vështirë, sepse do të kenë përballë Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë. Ndeshja e radhës do të jetë në transfertë më 13 tetor në Finlandë.

Një kombëtare ku të gjithë janë shënues përkatësisht me nga një gol Berisha, Pajaziti, Kristian dhe Stiven Shpendi, Rexhepi dhe ku të gjithë kanë dëshirë të luajnë dhe të sakrifikojnë edhe kur janë të dëmtuar. Shembulli konkret Pajaziti, që u kthye në lojë dhe i dha fitoren Shqipërisë. Pra një përfaqësuese ku të gjithë besojnë për më të mirën…

Lini një Përgjigje