Edmond Kapllani ka folur para ndeshjes mes Polonisë dhe Shqipërisë. Ish-sulmuesi i Kombëtares ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari.
Kapllani është i bindur se Myrto Uzuni do të shënojë kundër polakëve, ndërsa nga ana tjetër vlerëson punën e Silvinhos deri tani.
“Jemi shumë kurioz të shohim këtë Kombëtare dhe këtë trajner. Mendoj se potenciali është aty duke parë lojtarët e thirrur kundër Polonisë. Të gjitha të mirat janë, tani duhen vetëm rezultatet.
Ka ndërthurje mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Trajneri luan me ekipin, është shumë i motivuar. Trajnerët që janë komunikues dhe emocional i japin një shtysë lojtarëve edhe në stërvitje.
Duhet që grupi të funksionojë për të dalë me rezultat pozitiv nga Polonia. Silvinho është trajneri i ri dhe shumë i uritur për rezultate, do të punojë në shumë detaje, edhe nga ana psikologjike.
Kush e zgjidh ndeshjen? Myrto Uzuni vjen nga një moment shumë i mirë, gati gjithmonë për të shënuar një gol spektakolar. Unë shoh Uzunin më tepër që mund të zgjidh ndeshjen”, tha Kapllani.
Lini një Përgjigje