Të gjithë në lojë: Gjashtë pikë diferencë në luftën për titullin, shtatë nga mbijetesa në Europë

9 Shkurt 2023, 16:55Sport TEMA

Të gjithë në lojë: Gjashtë pikë diferencë

Kampionati i Superiores ka kapërcyer barrierën e gjysmës së tij. E megjithatë ajo që klasifikimi thotë, me një lexim të kujdesshëm, nuk jep asnjë garanci për verdiktet e ardhshme. 

Natyrisht një lloj projeksioni është bërë por renditja është shumë e ngjeshur. Pikët në lojë lejojnë të besojnë ata të zonës europiane të synojnë titullin, e ata që janë në atë të rënies, të mendojnë se mund të përfundojnë në kompeticionet e UEFA-s.

E thënë ndryshe, Tirana ka avantazhin e gjashtë pikëve nga dy ndjekësit e saj për titullin, Partizani e Vllaznia, me 31. Të dy skuadrat e shohin të rikuperueshme renditjen. Por nëse është kështu të njëjtën ndjesi ka edhe Erzeni me 30 e Laci me 29. 

Zona europiane është në lojë me të gjitha skuadrat, ndoshta duke lënë jashtë Kastriotin me 20. E atëherë në lojë mund ta quajë veten edhe Bylis që është në zonën playout, 7 pikë pas shijakasve.

Pa harruar se mbijetesa është akoma edhe më shpresëdhënëse ku krutanët e vendit të fundit nga ballshiotët i ndan vetëm një fitore. 

Ndërsa shpëtimi direkt, që përfaqësohet nga Teuta, është katër pikë larg. E përfshirë është edhe Egnatia me 27. Sepse nga rënia e ndan vetëm një 5 pikësh i pamjaftueshëm. Praktikisht, pas 20 javësh, të gjithë janë në lojë për diçka…

 

Lini një Përgjigje