Vullneti për krijimin e Superligës nuk është zbehur, pas projektit të dështuar dy vite më parë. Shefi ekzekutiv i A22, Bernd Reichart ka njoftuar një plan të ri që rikthen idenë e krijimit të një kompeticioni evropian të klubeve, këtë herë duke synuar një gamë shumë më të gjerë skuadrash. E gjithë kjo mbështetet nga Real Madrid, Barcelona dhe Juventus, tre klubet që do të kishin dashur të nisnin projektin e parë. Formati i kompeticionit nuk është bërë ende i ditur, por janë kontaktuar të paktën 50 klube, me synimin për të arritur maksimumi tetëdhjetë pjesëmarrës.
Këto janë fjalët e Reichart, të zbuluara në Twitter në gjuhë të ndryshme: "Tetorin e kaluar filluam një dialog të hapur për të ardhmen e futbollit evropian të klubeve. Që atëherë, ne kemi folur me pothuajse 50 klube evropiane dhe palë të tjera të interesuara. Shumica dërrmuese ndan vlerësimin se themelet e futbollit europian janë në rrezik. Është koha për një ndryshim. Futbolli i klubeve evropiane është në një pikë kthese”.
“Pabarazitë e mëdha janë shfaqur në të gjithë kontinentin dhe klubet me tradita të lavdishme nuk janë më në gjendje të konkurrojnë. Klubet marrin përsipër të gjitha rreziqet e sipërmarrjes, por shumë shpesh detyrohen të qëndrojnë mënjanë kur merren vendimet kryesore dhe shohin që themelet e tyre sportive dhe financiare të shemben. Diskutimet tona e bënë të qartë se klubet shpesh nuk janë në gjendje të flasin publikisht kundër një sistemi ku kërcënimi i sanksioneve përdoret për të goditur opozitën”.
“Në fund të këtij viti, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian do të vendosë për ligjshmërinë dhe përputhshmërinë e monopolit të UEFA-s me liritë, parimet dhe vlerat themelore të BE-së. Vendimi i tyre nuk do të ndikojë vetëm në futboll, por në të gjitha sportet evropiane. Qëllimi ynë është të paraqesim një plan të qëndrueshëm sportiv për garat evropiane të klubeve, i cili është i disponueshëm të paktën për të gjithë 27 anëtarët e BE-së. Sot prezantojmë rezultatet paraprake të fazës së parë të dialogut tonë, i cili ishte i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv”.
“Dolën përfundime të qarta në lidhje me nevojën për ndryshim dhe blloqet ndërtuese se si të realizohet ai. Ne kemi distiluar reagimet e vazhdueshme në dhjetë parime, të cilat duhet të përbëjnë bazën për një kompeticion të ardhshëm evropian për klube. Është e qartë se ka ende shumë punë për të bërë dhe dialogu do të vazhdojë. Po hyjmë në fazën vendimtare për qeverisjen e ardhshme të futbollit evropian të klubeve”.
Lini një Përgjigje