Torino tenton Ylber Ramadanin

2 Prill 2026, 15:40Sport TEMA
Torino tenton Ylber Ramadanin

Torino gjithnjë e më e dashuruar me futbollistët shqiptarë. “Demat” kanë vënë në fokus mesfushorin Ylber Ramadani si një përforcim të mundshëm për sezonin e ardhshëm. Interesimi për 29-vjeçarin nuk është thjesht sugjerim i rastësishëm. Lidhja e tij me trajnerin Roberto D’Aversa daton që nga koha te Lecce, ku mesfushori shqiptar u shqua si një nga elementët më të besueshëm në skuadër.

Ramadani njihet si një lojtar që nuk bie shumë në sy për statistika spektakolare, por për rolin e tij të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të ekipit. Ai është një mesfushor që lidh repartet, ndihmon mbrojtjen dhe krijon kushtet që lojtarët ofensivë të shprehin potencialin e tyre. Pikërisht ky profil duket se i mungon aktualisht Torinos.


Në aspektin financiar, operacioni konsiderohet i përballueshëm për klubin “granata”. Vlera e kartonit të Ramadanit përflitet rreth 2.5 milionë euro, një investim i arsyeshëm për një lojtar me eksperiencë në Serie A dhe ende me potencial zhvillimi.

Nëse transferimi realizohet, Ramadani do të ishte një pjesë kyçe në projektin e D’Aversës për të ndërtuar një mesfushë më të fortë dhe më funksionale. Strategjia e Torinos duket e qartë, krijimi i një ekipi më të ekuilibruar, më pak të varur nga individualitetet dhe më solid në tërësi.

Në këtë drejtim, Ylber Ramadani mund të jetë hapi i parë konkret drejt një Torino më konkurruese në sezonin e ardhshëm. Te “demat” aktivizohet edhe mbrojtësi Ardian Ismajli, ndërsa në fazën e parë të sezonit aktual pjesë ishte edhe Kristjan Asllani, i cili luajti si i huazuar nga Interi.

Lini një Përgjigje