Zbuluesi i talenteve kuqezi, Rossi: Kombëtarja është “kartëvizita” e vërtetë e Shqipërisë

3 Shtator 2023, 14:00Sport TEMA

Zbuluesi i talenteve kuqezi, Rossi: Kombëtarja është


Shefi i departamentit të zbuluesve të talenteve në Kombëtare, Alarico Rossi beson se “kartëvizita” e vërtetë e Shqipërisë nuk është riviera, por formacioni i drejtuar nga Sylvinho. “Kombëtarja është kartëvizita e vërtetë e Shqipërisë. Aty pasqyrohen të gjitha karakteristikat e këtij vendi”, tregon në një bashkëbisedim me mediet italiane Rossi. 

Ish-analisti i skuadrave si Pisa, Livorno dhe Ternana mbërriti në vendin tonë në 2017 kur iu bashkua ekipit të Christian Panuçi-t. “Kur shkova në Shqipëri më shikonin si marsian kur filmoja seancat stërvitore. Në fillim pata intuitë që të merrja një pozicion, i cili nuk i përkiste askujt më parë. Presidenti më ka ndihmuar shumë në krijimin e departamentin e analizës dhe zbulimeve”, tha Rossi, i cili shton se ky projekt është përqafuar si nga Kombëtarja ashtu edhe nga ekipet e moshave apo ato të kampionatit shqiptar duke theksuar se “sot 7 prej 10 ekipeve kanë një analist personal”.

Sipas Rossi-t procesi i rritjes është kompleks dhe kërkon kohë dhe durim. “Teknologjia i ka lejuar Shqipërisë që t’i afrohet skuadrave të mëdha”, tregon Rossi. Në bashkëbisedim ai shpjegon edhe problemin e madh që ka ndeshur gjatë punës në vendin tonë. “Duhet të pranojmë faktin se lojtarët janë edhe profesionistë dhe shpesh herë joshen nga ftesat që mund të marrin nga përfaqësueset e huaja. Nëse merr ftesë nga Italia, Gjermania apo Zvicra atëherë duhet të pranojmë se tundimi është i madh dhe të respektojmë kështu zgjedhjen e tyre”, tregon Rossi.

Në bashkëbisedimin e tij Rossi tregon një tjetër detaj mjaft interesant mbi punën e tij në Shqipëri. “Federata Shqiptare e Futbollit është ajo që shpenzon më shumë para për bileta avioni pasi ne ndjekim lojtarë në plot 37 kampionate të ndryshëm të globit. Në një periudhë ky numër ishte 48”, tregon Rossi. Rossi nuk fsheh habinë nga fakti se gjatë grumbulllimeve që bën ekipi i parë arrin të dëgjojë deri në shtatë gjuhë të huaja që fliten mes lojtarëve. Në fund Rossi mbyll bashkëbisedimin me një urim: “Nëse do të arrijmë finalet e ‘Euro 2024’ atëherë i gjithë mundi që kemi bërë deri më tani do të zerohet”.

Lini një Përgjigje