FOTO-LAJM/ Shqipëria turistike në vëmendjen e medias franceze: GEO Magazine i kushton artikull vendit

3 Shkurt 2026, 11:10Turizëm TEMA
FOTO-LAJM/ Shqipëria turistike në vëmendjen e medias franceze:

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion në rritje në hartën turistike të Europës. Këtë herë, revista prestigjioze franceze GEO Magazine i ka dedikuar një artikull vendit tonë, duke e përshkruar si një destinacion të larmishëm që ndërthur plazhet, malet dhe natyrën magjepsëse me një trashëgimi të pasur kulturore e historike.

Sipas artikullit, Shqipëria ofron një mozaik ndikimesh që shtrihen nga antikiteti grek e romak, te periudha bizantine, veneciane dhe osmane, duke krijuar një identitet unik në Mesdhe. Në fokus vendosen edhe elemente të veçanta të kujtesës historike, si Kanuni – i përshkruar si një kod mesjetar nderi – si dhe transformimet urbane dhe arkitekturore të Tiranës, që i japin kryeqytetit një profil të veçantë bashkëkohor.

Vlerësimi i revistës franceze vjen në një moment kur turizmi shqiptar po shënon rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të cituara, në pesë vitet e fundit numri i vizitorëve të huaj është rritur me rreth 80 për qind, një tregues i qartë i interesit në rritje për Shqipërinë si destinacion turistik.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar këtë vëmendje si dëshmi të potencialit të vendit dhe të punës së bërë për ta pozicionuar Shqipërinë në tregun ndërkombëtar të turizmit, ku natyra, historia dhe kultura po shndërrohen gjithnjë e më shumë në aset strategjik zhvillimi.

Lini një Përgjigje