Janari 2024 solli 30% më shumë turistë të huaj se një vit më parë

7 Shkurt 2024, 13:33Turizëm TEMA
Janari 2024 solli 30% më shumë turistë të huaj se një

Viti 2024 nisi me rritje të shifrave të flukseve hyrëse turistike drejt Shqipërisë. Gjatë muajit janar 489,599 turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë ose 30% më shumë se janari i vitit të kaluar, referuar shifrave të bëra publike nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndjekur nga vizitorët italianë të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50,4% më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Mali të Zi me 52,662 hyrje ose +32,6% krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.

Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411%, Rumania me mbi 120%, Spanja me rritje 104%, Anglia me 10,545 vizitorë apo 62% më shumë se janari i vitit të kaluar, Suedia me një rritje 73% e Franca me rreth 3 mijë vizitorë, apo 41,7% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në komunikimet e saj publike të fundit e ka cilësuar vitin 2024 si gurin e provës dhe një sfidë e përgjegjësi të madhe për të përballuar me sukses flukset e shtuara turistike.

Disa nga masat e marra nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për këtë vit janë mbështetja e 8 bashkive bregdetare me operatorë shtesë pastrimi, ngritja e një Task Force në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar cilësinë e ujërave në plazhe, certifikimi i detyrueshëm i operatorëve turistikë detarë dhe prezenca e vrojtuesve në çdo stacion plazhi. Gjithashtu Shqipëria po përgatitet të marrë pjesë edhe në ITB Berlin, panairin më të madh të turizmit në botë, që zhvillohet në fillim të muajit mars.

Lini një Përgjigje