Turizmi shqiptar përballë sfidës së standardeve - Topuzi: Sektori të matet nga vlera, jo nga fluksi

9 Korrik 2026, 15:55Turizëm TEMA
Turizmi shqiptar përballë sfidës së standardeve - Topuzi:

Shqipëria duhet të zhvendosë fokusin nga turizmi i bazuar vetëm te numri i vizitorëve, drejt një modeli që garanton më shumë cilësi, standarde dhe të ardhura reale për ekonominë. Ky është qëndrimi i Kreut të Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, i cili thekson se vendi është vonë në këtë drejtim, ndërsa rajoni ka avancuar me ritme më të shpejta.


“Ne jemi vonë për këtë gjë, ndërkohë që rajoni ka ecur me hapa jashtëzakonisht të shpejtë. Por nuk bëhet fjalë për zona të izoluara. Domethënë, teoria e re ka një keqkuptim midis investimeve mix-use, që si politika, apo edhe opozita, por edhe njerëzit në përgjithësi, e konsiderojnë si një zaptim nga ana e njerëzve që paguajnë, ku banorët e thjeshtë në fund nuk mund të futen në ato territore. Ky është një koncept i gabuar. Pra, tani koncepti i turizmit mix-use është i tillë. Krijohen pole të veçanta që mund të funksionojnë 12 muajt e vitit dhe ekonomizojnë e racionalizojnë të ardhurat mirë për biznesin, sjellin punësim të mirë, funksionim të zonave dhe angazhim të komunitetit lokal, duke e kthyer këtë në një fabrikë që punon gjatë të 12 muajve të vitit.”

Përfaqësuesit e sektorit prej kohësh kërkojnë që matësi kryesor i suksesit të turizmit të mos jetë vetëm numri i turistëve, por ndikimi që ata kanë në ekonomi. Sipas Topuzit, këtë vit ka një stabilizim të shifrave, me një rritje më të moderuar, në linjë me trendin europian të zhvillimit të turizmit.

“Në fakt, këtë vit ka një stabilizim dhe një moderim të shifrave. Kemi një rritje prej gati 5–6%, e cila shkon në përshtatje me trendin europian se si po zhvillohet turizmi. Kemi vite që diskutojmë se numri nuk është aq i rëndësishëm sa cilësia dhe standardi, apo sesa para ata lënë në ekonomi. Kjo ka qenë pak a shumë edhe kërkesa në parim e grupit të industrisë për qeverinë.”

K alimi nga sasia te cilësia është një domosdoshmëri për ta bërë sektorin më konkurrues në rajon. Për Shqipërinë, kjo nënkupton më shumë investime të mirëorientuara, shërbime më profesionale dhe një model turizmi që nuk matet vetëm me hyrjet në kufi, por me vlerën që gjeneron për ekonominë dhe komunitetet lokale.

 

1 Komente

  1. N
    Novosel

    Duhet me i marre leje Koles nuk bahen keto pune keshtuna

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje