Korriku nis me fluks turistësh, jo vetëm bregdeti, por edhe Shkodra dhe Alpet shqiptare tërheqin vizitorë

2 Korrik 2026, 16:40Turizëm TEMA
Korriku nis me fluks turistësh, jo vetëm bregdeti, por edhe Shkodra

Sezoni veror ka nisur me një rritje të ndjeshme të turistëve në qarkun e Shkodrës, ku përveç Velipojës, një fluks i lartë vizitorësh po regjistrohet edhe në qytet dhe në zonat malore. Turistë nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet e tyre, duke e kthyer Shkodrën në një ndalesë të rëndësishme të itinerarit të tyre. Vizitorët e huaj shprehen të impresionuar nga natyra, mikpritja dhe destinacionet unike që ofron zona.

“Përshëndetje, vij nga Londra. Është hera e parë në Shkodër. Kemi katër ditë këtu. Kemi bërë shtegun Valbonë–Theth dhe tani do të shkojmë në Himarë. Më kanë pëlqyer shumë Thethi dhe Valbona. Sigurisht që do të kthehem sërish në Shqipëri. E kam planifikuar për në shtator. E dua Shqipërinë”, tha turisti.

“Unë vij nga Norvegjia. Është hera e parë në Shqipëri. Kemi tre ditë këtu. Sapo mbërritëm nga Tirana. U ndalëm që të vizitojmë Shkodrën para se të nisemi për në Mal të Zi. Shkodra po më pëlqen. Po kërkojmë një vend ku të pushojmë pak,” vlerësoi turisti.

“Sapo mbërrita. Akoma nuk kam parë asgjë, por duket një vend shumë i bukur.”, tha turistja.

Interesi për Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa kombinimi i detit, maleve dhe qyteteve historike po e bën Shkodrën gjithnjë e më tërheqëse. Me këtë ritëm, pritet që sezoni veror të shënojë shifra rekord vizitorësh, duke konfirmuar Shkodrën si një nga pikat më të rëndësishme turistike në vend.

Lini një Përgjigje