Protesta - Bilanci i fundit i Urgjencës Spitalore: Ja sa efektiv dhe protestues kanë marrë ndihmë mjekësore deri tani

2 Korrik 2026, 17:40Kronika TEMA
Protesta - Bilanci i fundit i Urgjencës Spitalore: Ja sa efektiv dhe

Protesta e zhvilluar këtë të enjte përballë Kuvendit, e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ka lënë pas disa të lënduar.

Sipas të dhënave nga strukturat spitalore, në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore 14 efektivë policie dhe 2 protestues. Katër prej punonjësve të policisë vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër e efektivëve dhe protestuesve janë larguar pasi kanë marrë shërbimin e nevojshëm.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë trajtuar edhe 1 efektiv policie dhe 2 protestues. Burime spitalore bëjnë me dije se të tre kanë lënë ambientet e spitalit pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Në total, 19 persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e incidenteve të regjistruara gjatë protestës, ndërsa 4 efektivë policie vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.

Autoritetet pritet të japin një bilanc përfundimtar mbi ngjarjet dhe incidentet e regjistruara gjatë protestës para Kuvendit.

Lini një Përgjigje