Nga ambientet e jashtme të Komisariatit nr 4 në Tiranë aty ku ndodhen 23 personat e shoqëruar nga Policia lidhur me aktet e sotme të dhunës ndaj deputetëve dhe forcave të rendit, avokati Alban Duraj kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve që sipas tij kanë ushtruar një të drejtë kushtetuese dhe njoftoi përgatitjen e kallëzimit penal për në SPAK të të gjithë zinxhirit urdhërues.
“Kjo qeveri ka qenë e oligarkëve. Më në fund arriti dita kur revolta popullore është kthyer në rrezik për këtë qeveri. Kemi gati 50 protestues që kanë qenë në të drejtën kushtetuese për të protestuar. Të drejtat janë të njohura nga Kushtetuta jonë dhe Konventat si ajo e Tubimeve që është detyruese. Ka kaluar 5 orë nga e drejta e policisë së shtetit për të marrë në pyetje qytetarët dhe ende nuk janë liruar. I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme sepse do të jenë përpara faktit të shpërdorimit të detyrës. Po përgatisim kallëzimin penal për në SPAK që të mbajë përgjegjësi i gjithë zinxhiri urdhërues. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, Komisariatit nr 4 dhe Ministrit të Brendshëm që ka për detyrë të zbatojë ligjin. Qytetarët janë në të drejtën e tyre ligjore. Respektoni ligjin, në të kundërt kallëzimi penal është gati dhe SPAK do fillojë hetimin për këto arrestime të paligjshme. Janë shkelur kriteret për masën e arrestit, kur dikush arrestohet në flagrancë duhet të ketë kryer nëj krim që dënohet minimumi 5 vite. Ata policë që kanë zbatuar urdhra të palgjshëm, do të mbajnë përgjegjësi, u bëjmë thirrje policëve të mos bëjnë veprime të paligjshme, gjithçka është e filmuar. E kemi parë se me çfarë janë përballur punonjësit e administratës që zbatonin dëshirat e eprorëve. Nuk kemi asnjë njoftim për tre të shoqëruarit, ata presin urdhrat dhe urdhrat janë politikë. S’duhet të kishim arrestim në flagrancë.
Protestuesit janë kundërpërgjigjur sepse janë dhunuar, dhuna ka qenë disproporcionale sepse kanë përdorur shkopinj gome dhe kanë qenë të shumtë në numër.” tha ai.
23 persona u shoqëruan sot nga Policia e Shtetit pas akteve të dhunës dhe 8 prej tyre përfunduan në pranga.
Lini një Përgjigje