Një jetë me notën 10

2 Korrik 2026, 19:10Sociale TEMA
Një jetë me notën 10

Nga Lutfi Dervishi 

Ka njerëz që e matin jetën me tituj dhe të tjerë që e matin me dritën që lënë pas. Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së dytë.

Ai u nda nga jeta larg vëmendjes publike, ashtu siç jetoi për dekada, i përqendruar te kërkimi, shpikja dhe puna e palodhur.

I lindur në Gjirokastër, ai kreu studimet në Fakultetin e Minierave me rezultate të shkëlqyera. Edhe pse gjatë regjimit komunist u përjashtua përkohësisht nën akuzën absurde të kohës, “agjitacion dhe propagandë”, ai gjeti forcën të rikthehej. Jo vetëm që i përfundoi studimet në mënyrë të jashtëzakonshme, por mbeti ndër të rrallët studentë që mori notën maksimale 10 absolute në lëndën “famëkeqe” të Rezistencës së Materialeve, një sprovë që tmerronte breza të tërë inxhinierësh.

Edhe pse nuk u njohëm kurrë, një rastësi e vogël e jetës na lidh: unë zgjodha të njëjtin profesion, inxhinierinë e shpimit, disa vite pasi Aleksandër Buda kishte nisur rrugën e tij profesionale.

Në vitin 1991 ai mori rrugën drejt Francës. Filloi gjithçka nga e para, si mekanik motoçikletash, duke rindërtuar jetën në një terren të panjohur. Ishte nga ato histori emigracioni ku nuk mjaftonte vetëm talenti, duhej edhe një këmbëngulje prej asketi. Ai i kishte të dyja. Këtë rrugëtim e dokumenton edhe revista Arts et Métiers ParisTech, e cila e portretizon si njeriun që zgjodhi Francën “për idealet e lirisë dhe demokracisë”.

Nga Instituti Francez i Naftës, rrugëtimi i tij kaloi në kompani prestigjioze si Geoservices dhe Schlumberger, për t’iu përkushtuar përfundimisht kërkimit shkencor dhe projektimit inxhinierik. Karriera e tij nuk ishte ajo e një teknicieni që zbaton skema ekzistuese, por e një shpikësi që krijon zgjidhje të reja. Ai projektoi instrumente për eksplorimin e nëntokës, sisteme ultrasonike dhe pajisje matëse të avancuara, duke bashkuar në një profil të vetëm mekanikën, elektronikën, gjeofizikën dhe akustikën.

Kulmi erdhi në vitin 2006. Pa ndjekur një program tradicional universitar, ai mbrojti qindra faqe punë shkencore përpara profesorëve të Arts et Métiers ParisTech, njërës prej Grande Écoles më prestigjioze të Francës. U bë kështu inxhinieri i parë me origjinë shqiptare që fitoi këtë diplomë përmes procedurës së rreptë të njohjes së përvojës profesionale, një arritje e jashtëzakonshme edhe për vetë Francën. Emri i tij u botua në Journal Officiel de la République Française si mbajtës i diplomës së inxhinierit.

Në biografinë e tij zyrtare thuhet diçka që e përkufizon më mirë se çdo dekoratë: “Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së rrallë të inxhinierëve-shpikës, njerëz që nuk mjaftohen duke zbatuar dijen ekzistuese, por imagjinojnë mjete të reja, krijojnë metoda të reja dhe hapin shtigje të reja teknologjike.”

Edhe në vitet e fundit të jetës, mendimi i tij mbetej i lidhur me Shqipërinë. Pas ndarjes së tij nga jeta, familjarët gjetën në telefon komunikime me Ministrinë e Industrisë, të vitit 2019, për një projekt inovativ të vlerësuar në Francë, të cilin ai dëshironte ta vinte në zbatim pa asnjë përfitim personal në vendlindje. Edhe pasi kishte prekur majat e reputacionit në Francë, ai ende kërkonte mënyra për t’i kthyer diçka vendit.

Është një nga ato ironi që vetëm koha di t’i prodhojë: Shqipëria nuk arriti ta mbante kur ishte i ri dhe nuk diti ta përdorte kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij.

Aleksandër Buda do të përcillet për në banesën e fundit këtë të shtunë në Berat, pas meshës në Katedralen Ortodokse.

Largimi i tij është një humbje e madhe, por harresa do të ishte një humbje edhe më e madhe. Një vend që nuk kujton njerëzit që ndërtojnë pa zhurmë, rrezikon të mbetet gjithmonë duke kërkuar heronj të rremë atje ku ka vetëm zhurmë.

3 Komente

  1. A
    Agron

    I paske harruar kujtimi i tij,po poje lutfi dervishi qe je kthyer gazetar,mer shembull nga ky ,qe e ka car rrugen e jetesës me pune,kurse ti nuk ke punuar nje dit,si skile qe je

    Përgjigjjuni
    1. D
      D

      Respekte

      Përgjigjjuni
      1. S
        Shqip

        Ja nje shqiptar per tu vleresuar dhe perjetesuar. Jo mbetjet e politikes dhe hajdutet e qeverise. Te protestojme per te ardhmen

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje