“Flamingot” si fëmijë politikisht të padëshiruar të Berishës

2 Korrik 2026, 17:52Editorial Mero Baze

 

I gjithë degradimi i kësaj që po ndodh me “revolucionin Flamingo”, është pasojë e asaj se çfarë mund të injektojë tek një brez pasardhës një model opozitar i gjatë, i ngritur mbi teatrin e protestave të dhunshme dhe akteve sporadike antisistem, si dhe gjuhës linçuese të tyre.

Jemi përballë një brezi që kanë 13 vjet që shikojnë model opozitar të dhunshëm, por që mendojnë se nuk ka fituar ngaqë nuk është mjaftueshëm i dhunshëm. Është kjo arsyeja që tani “flamingot” janë një lëvizje që kërkon të bëjë politikë me mjete jo politike dhe kërkon aleancë nga të gjithë, duke i sulmuar dhe dhunuar të gjithë. Ata flasin për një sistem të ri si për një llotari të re, që nuk del nga zgjedhjet, por nga letra me vrimë, që është dhe pro-evropian, dhe pro-amerikan, dhe kundër gjithë botës, e cila nga ana e saj duhet të jetë me ta. “Flamingot” janë dhe kundër opozitës zyrtare, por dhe që opozita zyrtare të jetë me ta dhe që të djegin mandatet, edhe pse ata janë katandisur këta që janë pse i kanë djegur njëherë mandatet.

Gjuha e tyre linçuese, thirrjet për vdekje dhe vrasje të çdo personi publik që është kundër tyre, intimidimi publik i tyre dhe gjithë aktet e tjera rrugaçërore, janë po ashtu një pasojë banale e asaj që kanë dëgjuar duke u rritur një brez i tërë që është rritur nën opozitën e sotme të Berishës, që këtë e ka pasur ushqim të përditshëm.

Kontradikta është se opozita e Berishës ishte dhe mbetet opozitë zyrtare, por është sjellë si opozitë jashtë sistemit. Ajo e ka pasur në boshtin e saj politik frymën e linçimit dhe kërcënimit. Gishti i ngritur i Berishës ndaj armiqve, kërcënimet e tij se “ta bëj fytyrën të zezë si këpuca”, himnet që i ka ngritur dhunës, legjitimimi i kërcënimit të kundërshtarit si standard normal demokratik, djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve, të gjitha këto kanë rritur një brez që këto gjëra i di normale dhe akuzojnë Berishën pse s’i ka bërë realitet. Pra ata janë brenda një keqkuptimi historik të një mashtruesi që sillej si opozitë jashtë sistemit duke qenë jo vetëm brenda sistemit, por dhe përfitues i sistemit, dhe tani mendojnë se Berisha nuk ka qenë i aftë të dilte jashtë sistemit dhe do ta zgjidhin këta.

I shikoje sot se si i kërkonin llogari deputetëve të opozitës pse nuk djegin mandatet, pse shkojnë në zgjedhje, pse shkojnë në parlament etj. broçkulla, dhe e kupton se këta mendojnë vërtet që ka qenë gjeniale djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve dhe këta duhet ta përsërisin. Në fakt, mjerimi i sotëm i opozitës, por në një masë dhe i demokracisë në Shqipëri, është pasojë e atij akti të papërgjegjshëm që e zvogëloi opozitën dhe e bëri të parëndësishme.

Sot pas 13 vitesh opozita në Shqipëri nuk ka më prezencë në pushtetin lokal dhe vuan krizën e mungesës së njerëzve që duhet të kualifikoheshin si administratorë bashkish dhe liderë lokalë. Pas 13 vitesh në opozitë është rritur një brez i tërë rrugëve, me idenë se do ta marrin pushtetin me dhunë, me molotov, me teori konspirative, me komplote kundër Sorosit, kundër Ivankës, kundër Kushnerit, kundër Izraelit e marrëzira të tjera.

Dhe këta revolucionarë që shikoni sot rrugëve, janë produkt i modelit opozitar të Berishës, i dyzimit të saj për të qenë ose opozitë zyrtare ose opozitë antisistem. Ky dyzim ka bërë që në rrugë të dalin jo përmysësit e saj, por idiotët e saj, të cilët mendojnë se ajo ka bërë mirë gjithë gjërat që ajo ka bërë keq.

Ndaj dhe është aq e natyrshme depërtimi i drejtuesve politikë në krye të kësaj proteste dhe marrja komplet e kontrollit prej tyre. Tani që protesta hyri në spiralen e dhunës, është e natyrshme që duhet ta marrin kontrollin ata që e kanë patentë në Shqipëri dhunën.

Por revolucionarët e “Flamingo” duket qartë që e kanë besuar Berishën jo si aktor që është, por si njeri që e kishte mirë atë që thoshte, por keq atë që bënte. Dhe këta kanë dalë në rrugë me idenë që ata do të bëjnë atë që Berisha e premtonte, por nuk e bënte dot. D.m.th. do vrasin, do rrahin dhe do përmbysin Shqipërinë me dhunë dhe sistem paralel politik. Ndaj ngjajnë si fëmijë politikisht të padëshiruar të Berishës, të lindur nga një marrëdhënie e shtirur me popullin opozitar. Kanë marrë formën e gënjeshtrave që Berisha i thoshte për t’u dukur opozitar.

4 Komente

  1. M
    Me sakte eshte te thuhet.....

    Flamemgot o Mero jane kryesisht bastarde te Kurtit dhe Saliut.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Flamur Peci

      Merooo, te te rroje dhe e pac ne kry te kesaj " opozites zyrtare " ( e zyrtarizoi udheheqesi juaj legjendar , fanari ndricues I Globit , vazhduesit I qenerise berishiste , Edvin Rama ) , mundesisht , edhe pas vdekjes , sepse pa Berishes dhe berishizem grazhdet dhe koritat e derrave mbeten bosh ...

      Përgjigjjuni
      1. Z
        Zorro

        Po dëgjoja sot tek News 24 një farë mender gazetari, Kaka a Kuka a Koka që intervistonte një protestues, më duket Ali Tepelena ish Mjaftist që rrenin njëri tjetrin. Nuk rehen kështu mileti o zoti Kaka.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Media kazan

          Eeeeee eshte faje i medias jo profesionale , sa me shume ti shkoni pas aq me shume ate mendojne se jane te rendesishem..... Ngrihet nje kazane tv dhe per dy ore i shkone pas nje turme rrugaçesh , qe perdorin nje fjalor vulgar ,njerez te droges te pa pune. I jepet hapesire televizive çdo lloje idioti , njera kerkone burre , tjera u divorcova kot ... Ata jane 100 rrugaçe rrugesh qe ne funde nuk sjellin asgje. Sa mire do ishte qe keta kazanxhinje per dy ore te shkonin ne fshatrat ku nuk ka rruge , ne periferi te Tiranes....kudo do ishte me sensibilizuewe se sa te filmosh nje Kola pi Kuksi me qylaf dhe flamure mbi shpatulla. Nuk ka média Shqiperia

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje