Spanja është shumë pranë kualifikimit për në fazën e 1/8-tave në Kupën e Botës që zhvillohet në Katar. Në ndeshjen e fundit të Grupit E, iberikasve iu mjafton të mos humbasin ndaj Japonisë për të vijuar rrugëtimin e tyre në Botëror, ndërsa deri më tani kanë treguar paraqitje dinjitoze me të besuarit e trajnerit Luis Enrique që kanë barazuar 1-1 me Gjermaninë dhe në ndeshjen hapëse fituan 7-0 ndaj Kosta Rikës.
Sa i takon rivalëve të mundshëm në fazët e ardhshme të Botërorit, mesfushori Koke thekson se “La Roja” nuk i frikësohet askujt, madje as Brazilit që cilësohet si favoritja numër një në këtë event.
“Ne nuk kemi frikë askënd, por kemi respekt për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse në Kupën e Botës. Nuk mendojmë se cili mund të jetë kundërshtari ynë në 1/8-tat apo në çerekfinale, skuadra është e fokusuar totalisht te sfida e fundit në grup ndaj Japonisë. Duhet ta fitojmë atë ndeshje, për të mos lejuar që të nisin e të shpalosen skenarë të ndryshëm.
Nëse përballemi me Brazilin në çerekfinale, atëherë do të futemi në fushë me besimin maksimal për të marrë më të mirën”, u shpreh lojtari i Atletico Madrid që në dy ndeshjet e para të Spanjës në Botëror është aktivizuar vetëm në pjesën e dytë duke ardhur nga stoli.
Lini një Përgjigje