
Analisti Frrok Çupi thotë se në javën e fundit të fushatës, përfundimi dhe rezultati i 14 majit duket qartësisht në favor të Partisë Socialiste dhe të kandidatëve të saj në pjesën dërrmuese të bashkive.
“Ditët e fundit, kjo javë, sapo kemi hyrë, e ka qartësuar portretin e zgjedhjeve atë se çfarë do të ndodhë ditën e diel. Gjithçka është e qartë një javë përpara. Mund të themi se PS i ka tepruar koha për fushatën, nuk i duhet më.
Me të njëjtën fjalë mund të them për opozitës, sepse nuk i duhet koha më sepse ka arritur tek muri, sepse nuk gjeneron as pozitivitet, madje për të thënë të drejtën as negativitet”, tha ai.
Gjatë intervistës në emisionin “Special Report” në ABC News, Çupi u shpreh se në këtë fushatë mazhoranca dhe opozita kanë lëvizur në dy autostrada të ndryshme dhe nuk u takuan në asnjë pikë. Sipas Çupit e para fliste për projekte dhe zhvillimin e vendit, ndërsa e dyta për hallet e saj personale.
“Mazhoranca dhe opozita nuk u takuan askund, lëviznin në dy autostrada të ndryshme, ishin në dy qëllime të ndryshe, në dy projekte të tjera. Njëra kishte plane se si do të bëhet vendi, kurse pjesa tjetër mendonin për vete”, tha Çupi.
Ai tha se “Foltorja” po vijon të shpërbëhet bashkë me synimin e Ilir Metës për të bindur demokratët ta votojnë më 14 maj. Për Çupin, situata në Partinë Demokratike është shumë e paqartë dhe shumë e vonuar në aksionet politike.
“Foltorja e shkuar të Berisha, ajo pjesë e opozitës po shembet brenda vetes. Ai që kishte menduar se ta gëlltiste pjesën e demokratëve, Meta, nuk po e bën dot. Ata që ë shikojnë Metën, nuk po e pranojnë, dhe kjo tregohet nga takimet.
Është një paralajmërim për rezultatin. Pjesa tjetër e opozitës, vazhdon të shpërbëhet. PD e vërteta po ndihet në krizë. Duket si një zot shtëpia, dhe pasi kanë ikur krushqit ka filluar të këndojë, është vonuar në qëndrimet politike pro-perëndimore”, theksoi ai.
Lini një Përgjigje