Shyqyri Hysi,..."Njeriu që do të na mposhtë"

7 Prill 2025, 12:00Politika Nga Feti ZENELI

 

Shyqyri Hysi,..."Njeriu që do të na mposhtë"

Teksa dëgjova emrin e Prof. Dr. Shyqyri Hysit të përfshirë në listën e kantidatëve për deputet në Qarkun e Gjirokastrës, m’u kujtua një shprehje që kisha nënvizuar teksa lexoja romani “Revolta e Atlasit” të Ayn Rand: “… na ruajt Zoti nga ai që jeton sipas parimeve të veta. Na ruajt Zoti nga njeriu me ndërgjegjie të pastër, sepse ka për të qenë njeriu që do të na mposhtë”.

Në përgjithësi, të kërkosh njeriun e parimeve të forta dhe me ndërgjegje të pastër në listat partiake të kanditatëve për deputet, të duket sikur kërkon ujë në shkretëtirë. Sepse, në radhë të parë, ligji dhe rregullat përkatëse të përzgjedhjes, janë hartuar duke u bazuar jo në parime, por në interesa. Nga ana tjetër, devotshmëria dhe serviliteti ndaj kryetarit të partisë, i kanë mbyllur të gjithë shtigjet e “shanseve të barabarta” për të konkuruar me aftësi, vlera e virtyte. Dy partitë e mëdha, njëra nëpërmjet platformës inovative “Deputeti që Duam” dhe tjetra me “Primaret” tentuan për të përzgjedhur kandidatura jashtë rreshtimeve të deritanishme. Por, nëse “Primaret” i futën nga “dera” dhe i nxorën nga “dritaret”, “Deputeti që Duam” zuri dhe ndonjë vend në listë, siç është edhe rasti i Prof. Dr. Shyqyri Hysit.

Natyrshëm lind pyetja: Ç’është ky njeri me një personalitet dhe karakter kaq të spikatur, ndërkohë që jetojmë në një shoqëri me plotë të këqija dhe larg arsyes njerëzore? Shtrohet kjo pyetje, pasi, siç thoshte shkrimtari italian, Silvio Peliko: “Pa forcën e karakterit nuk zotërohet asnjë virtyt, nuk përmbushet asnjë detyrë e lartë”.

Profesori i Historisë në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, z. Hysi, me përkushtimin maksimal në kryerjen e çdo detyre që merrë përsipër, “abuzon” edhe me virtytin, duke e lodhur atë me përditshmëri sociale. Niset nga qëllime të mëdha për të vënë në provë aftësitë që ka. Ai përgjithësisht i shfaq zotësitë, duke i fshehur nevojat personale. Tek Shyqyriu, aftësitë tekniko - profesionale dhe vlerat morale janë dy ingranazhe të dhëmbëzuar tek njëri - tjetri, që punojnë së bashku, duke mos rreshtur së përmirësuari anët e mira, sidomos kur ato janë edhe një trashëgimi e vyer. Sfida më e madhe, me të cilën është përballur, veçanërisht në vitet e para të karrierës së tij, ka qenë krijimi i një personaliteti të pakontestuar. Gjithashtu, ka një inteligjencë të mprehtë, që ja bënë më të lehtë përballjen me vështirësitë e jetës.

Por njohja në thellësi e personalitetit dhe temperamentit të tij nuk mund të arrihet pa treguar diçka edhe rreth rolit që ka luajtuar në këtë drejtim; vendlindja, e shkuara historike, trashëgimia familjare dhe vendosmëria për t’u përballur me sfidat e jetës.

“Parajsa” e identitetit kalivaçiot

Profesioni i gazetarit, sidomos detyra si redaktor i gazetës “Lajmëtari” të Tepelenës, në fund të viteve ’80, më krijoi mundësi të shumta njohjeje, përsa i përket temperamentit dhe cilësive të tjera që shoqëronin sjelljen sociale të njerëzve në të gjithë rrethin. Ishte shkurt i vitit 1990. Kanë kaluar 3 dekada e gjysëm qysh nga ajo kohë, por e kam të freskët si tani një mbledhje llogaridhënëse të kryesisë së kooperativës bujqësore Kalivaç, që zgjati plotë 12 orë, dhe në të cilën isha i pranishëm me cilësinë e gazetarit. Pa u futur në Krahës, makina ku po udhëtonim së bashku me kryetarin e komitetit ekzekutiv të KP të rrethit Tepelenë, Gjergji Velo, mori majtas. Ai nuk kishte shumë kohë në një detyrë të tillë, dhe ishte hera e parë që shkelte në këto anë. Ndërkohë që deri në këtë moment ishim përfshirë në biseda të përgjithëshme, teksa po ngjisnim të përpjetën e Gonesë, Gjergji më pyet: “Ke qenë ndonjëherë në Kalivaç”? -Po, iu përgjigja. “Ç’kanë ndonjë karakteristikë të veçantë banorët e këtushëm?”, vijoi ai bisedën. E ke dëgjuar atë shprehjen: “Në parajsën e rrathëve nuk ka vend për katrorët”? “Jo”, m’u përgjigj. I përket një poeti të huaj; dhe më ka ngelur në mendje që nga koha e fakultetit, e thënë në një takim miqësh, për të theksuar tiparet karakteristike të një individi, vendi a komuniteti, i thashë më tej. Të tillë janë kalivaçiotët. Atyre u shkon më për shtat se kujtdo tjetër në rrethin tonë, thënia e shkrimtarit të njohur amerikan Xhon Steinbek, Nobelist, i ndarë nga jeta rreth tri dekada më parë: “Njerëzit janë vendi ku jetojnë”. Në pamje të parë, duket si një shprehje e përgjithëshme, vijova unë, që mund të përdoret për të etiketuar çdo komunitet banorësh, por kalivaçiotët janë personifikimi më i mirë i karakteristikave që kanë trojet e këtij fshati me histori të lashtë, qysh nga shekulli i I-rë p.e.s. Kohë më se e mjaftueshme kjo, për mprehur karakterin e fortë si gurët mbi të cilët do të na shkel këmba rrugëve të këtij fshati. Kësisoj, kalivaçiotët i dallon qysh në ecje; në dukje mospërfillës, por gjithësesi të vëmendshëm; me shikimin përpara, të drejtpërdrejtë e kurajoz. Vështirë se mund ta dallosh lehtë kufirin, ku forca e karakterit ndahet me kokëfortësinë. Nuk kërkojnë nga të tjerët diçka që s’e kanë tek vetja...”.

Kaq i mjaftoi kryetar Gjergjit, që të heshtëte, duke vështruar nga dritarja e “Aros”, sa andej - këtej vendeve që i shfaqeshin përpara, si për të kuptuar diçka nga karakteri i këtyre njerëzve me të cilët do përballej për herë të parë. Ndoshta e nuhati që nuk do ta kishte të lehtë mbledhjen të cilën do të zhvillonte me ta. Mbase kishte marrë edhe ndonjë informacion paraprak nga vartësitë e tij, sikundër ishte dhe një histori debati e disa viteve më parë me nivelet e larta të partisë e pushtetit në rreth të dy drejtuesve kryesor të kësaj ekonomie bujqësore, kryetarit të saj Mehmet Hyseni dhe Sekretarit të Byrosë së Partisë, Barjam Hysi; asokohe në krye të kooperativës bujqësore Qesarat…

Po afroheshim tek lagjia e parë, Bozanaj, që në shqip ka kuptimin “bar ose ball i zanave”, kurse në sllavisht - “vend i perëndive”. Në të dyja gjuhët, një mrekulli; në të dyja gjuhët - dëshmi për lashtësi. Fakt është, se ngado që t’i hidhje sytë, ndeshje në pamje mahnitëse. Të gjitha lagjiet e fshatit shtriheshin majë disa kodrinave të vogla, të ngulura tërësisht në shkëmb e të mbuluara nga disa shkurre të vogla që nuk arijnë t’i bëjnë hije njera - tjetrës; tipike për vende të serta, si majëmalet e Këndrevicës përballë, ndërkohë që lartësia e këtyre kodrave mbi nivelin e detit nuk i kalon të 200 metrat. Në rrëzë të tyre dhe buzë lumit Vjosë, shtrihet një pjesë e fushës, që vazhdon edhe në territorin e Mallakastrës, për të cilën shkrimtari grek i shekullit të VII p.e.s., Hesiodi, ka thënë: “Ishin vende plotë drithë e livadhe të blerta, dhe se kishin shumë dhënë e dhi e lopë të majme...”. Kjo larmishmëri relievi është ravijëzuar, kohë pas kohe, në cilësitë e karakterit të këtyre njerëzve, të shquar për inteligjencë, burrëri, trimëri, personalitetit, krenari; doke e zakone të rralla shqiptare; si “Korija e lisave të mirë”, ku tradicionalisht, vendasit nuk presin dru, se e kanë tabu. Të dhënat arkeologjike, dokumentacioni historik, gojëdhënat apo kronikat e ndryshme, krahas hershmërisë tregojnë edhe madhështinë e këtyre trojeve, si dhe të bijëve e bijave kalivaçiotë, të cilat të imponojnë nderim e respekt të lartë në çdo përballje me ta…

Vitet e fundit më është krijuar mundësia të njihem nga afër me 3 - 4 personalitete të këtij fshati; Prof. Dr, Vezir Muharremaj, mjeshtrin e fjalës, Xhelil Aliun, kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Albert Malajn dhe Prof. Dr. Shyqyri Hysin. Tek gjithësecili prej tyre

kam parë atë kalivaçiotin tipik; që të flet me kompetencë e me zemër në dorë, pa të bërë kurrë elozhe; tolerantë e gjithmonë të papajtueshëm me servilizmin dhe hipokrizinë. Jo vetëm këta, por në përgjithësi, kalivaçiotët nuk kërkojnë asgjë që s’e meritojnë me zotësi, ndershmëri e drejtësi. Ja ndalemi tek profesori i historisë, Shyqyri Hysi, një kalivaçiot “24 karat” në të gjithë treguesit e individualitetit të tij njerëzor; gjithanshmërisht i spikatur, në auditorët e Universitetit, në konferencat shkencore, brenda dhe jashtë vendit, në skenat e të kënduarit e të aktruarit, në konsulencën dhe ndihmën e pakursyer të ofruar për të njohur e të panjohur, etj. Në çdo fjalë që artikulon, rrezaton art e kulturë, të përfituar sa nga leximi po aq dhe trashëgimia dhe fisnikëria e të parëve të tij ndër breza. Madje është kultura ajo që u jep vlerë aftësive dhe talentit të tij; ia nxjerrë më në pah fisnikërinë dhe bardhësinë e shpirtit. Profesor Shyqyriut i shkon më shumë se kujtdo tjetri për shtat, thënia e shkrimtarit Italian, Xhuzepe Prexolini: “Ka njerëz të kulturuar edhe midis profesorëve”. Sepse kultura e e tij e njohjes predominon mbi kulturën e dijes dhe leximit, ndërkohë që disiplina me të cilën punon, i jep garanci të plota në përmbushjen e çdo detyre që merr përsipër.

Sfidat e shkollimit, karriera akademike dhe pasioni për këngën

Shyqyri Barjam Hysi, siç dëshiron ai të prezantohet tek të panjohurit, ka lindur në 12 shtator të vitit 1963. Nxënës dhe student ekselent në të gjitha nivelet e shkollimit. Diplomohet shkëlqyeshëm në Universitetin “Eqerem Çabej” (dega Histori - Gjeografi), Gjirokstër, ku qysh prej vitit 1992 ushtron karrierën akademike si pedagog historie.

Po për të mbërritur deri këtu, duhej të përballej me vështirësi e probleme, që nuk kishin lidhje me inteligjencën, aftësitë, përkushtimin, karakterin apo trashëgiminë e tij të vyer familjare, por me manikacionet e disa individëve të pushtetshëm të asaj kohe, që e kanë patur në natyrën e tyre ndëshkimin e njerëzve të virtytshëm. Bëhet fjalë për një të keqe të “të mirëve” në pushtet, që siç thotë Niçe, është shumë herë më e madhe se sa e “keqja e të këqijve”. Por ferri që përjetoi Shyqyriu për 5 vite rresht, duke filluar nga korriku i vitit 1981 deri në ’85-ën, del jashtë parashikimit edhe të filozofit të shquar gjerman, Fridrih Niçe. Nuk ka si spjegohet ndryshe fakti që për 5 vite rresht planifikohej të shkonte në shkollë të lartë, e kur afishoheshin listat, emri i tij nuk figuronte. Informacioni paparak që dilte nga zyrat “hermetike” të pushtetit ishte shumë i saktë, pasi babai i tij, Barjami për shkak të detyrave të larta partiake dhe drejtuese që kryente, e merrte atë nga miqtë e vetë në aparatin e komitetit ekzekutiv dhe atë të partisë së rrethit. Vit pas viti, për këtë periudhë kohore, Shyqyriu, fillimisht u planifikua që të shkonte në Shkollën e Bashkuar, pastaj për Filozofi, Shkollën e Ministrisë së Rendit, Inxhinieri Mekanike dhe Histori - Filologji në Tiranë. Madje një vit, duke qenë se të drejtat e studimit për Ciklin e Ulët delnin nga tetori, u planifikua edhe në këtë degë. E vuante Shyqyriu dhe familja Hysi në përgjithësi, por jo pak edhe miqtë e tyre, e mbi të gjitha ata që tërë gëzim gjurmonin dhe përcillnin informacionin që ndodhej në listat paraparke për të drejtat e studimit të Komitetit Ekzekutiv.

Gjatë periudhës janar 1983 - dhjetor 1984 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Divizionit të Delvinës. Për 6 muaj, nga janari deri në korrik 1985 punon si mësues në shkollën 8-vjeçare të Kalivaçit. Më së fundi, në shtator të këtij viti fillon Institutin e Lartë Pedagogjik, Gjirokastër, dega Histori – Gjeografi, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera në 1989-ën. Për gati tre vite rresht nga ky moment do të fillonte faza e dytë e kalvarit të vuajtjeve të Shyqyriut. I njëjti shkaktar - Tepelena zyrtare, ndoshta me zemërngushtësinë e zilinë ndaj rezultateve mbreslënëse të këtij të riu, ngaqë kishin dështuar me “biografinë e keqe”, siç do e shohim pak më poshtë. Në saj të rezultateve mësimore të arritura kishte siguruar vendin e pedagogut në ILP Gjirokastër. Por më parë duhej të kryente stazhin e partisë, pasi ishte pranuar si kandidat qysh në fakultet. Stazhin do ta kryente në Tepelenë. “Na erdhi prapë në dorë”, mendonin ata që vitin e stazhit në prodhim të shkollës së mesme ja pesfishuan. Duke qenë se muajtë e stazhit të partisë nuk ja shtonin dot zgjodhën t’i shtojnë kilometrat e largësisë nga qyteti, duke e degdisur në zonat periferike si Buzi e Nivica. Përfundimisht “vënë dorën në zemër” dhe e caktojnë mësues në shkollën e mesme të Zhapokikës. Teksa vazhdonte punën aty, pas 6 muajve kujtohen se stazhin duhej ta kryente në minierën e qymyrgurit Memaliaj, jo në arsim. Kështu që në korrik 1990 rikthehet sërish në frontin e punës së para 6 - 7 viteve. Zgjedh turrnin e natës, pasi ditën duhej t’u jepte mësim nxënësve, pa e ditur që do të shndërrohej në një viktimë të sakrificës së tij. “Duhej ta kishe ndërprerë mësimdhënien, -i thanë, -të punoje vetëm në minierë, se i tillë është rregulli i statutit”. Rikthet sërish në minierë. Absurditete e marrëzira pa fund, njëlloj sikur “… të shpiesh dru në pyll”, siç thotë Horaci.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushi, në shkurt të vitit 1990 dërgon një specializim në degën e historisë për Tepelenën. Në një farë mënyre, Shyqyriu e kishte rregulluar vetë këtë specializim, dhe garancinë e kishte marrë drejtpërdrejtë nga goja e ministrit Gjinushi. Bashkë me të edhe porosinë e tij miqësore: “Kujdes atje në rreth!”. Erdhi momenti për të vendosur. “Më thirrën në një nga ato zyrat e Arsimit, -tregon Shyqyriu. -Mbledhur atje specialist e shefa, jo vetëm nga komiteti Ekzekutiv, por dhe ai i Partisë. Nuk doni kurrësesi që unë të shkoja për specializim. “Mbaro stazhin, pastaj specializimin”, më thoshin. Ishte e pamundur të gjeje mirëkuptimin, qoftë edhe të njerit prej tyre. Para se të dilja u them: Nuk po dal me lotë në sy por me lotë zemre nga kjo zyrë. Jam krenar për gjithçka kam arritur. Ju nuk po pengoni ecjen time përpara, por zhvillimin në përgjithësi”.

Sidoqoftë nuk mundën ta ndalin karrierën e tij profesionale Aktualisht punon në fushën e historisë religjionale, arkeologjisë, kulturës kombëtare, etnologjisë, turizmit fetar, biografive të personaliteteve, etj. Për këto fusha, përveç 11 teksteve universitare, ka botuar 10 monografi, disa dhe me bashkautor. Është referues në 234 kongrese, konferenca e simpoziume shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, sikundër dhe autor e bashkëautor në mbi 140 artikuj shkencorë, të botuar brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2004, libri i tij, “Historia e komuniteteve fetare shqiptare” është cilësuar si “Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam”, ndërsa vetë autori vlerësohet me titullin: “Aktivist i shquar në fushën e artit e të kulturës”.

Një pasion tjetër, ku natyrisht s’mund ta pengonte kush, është dhe kënga. Ai është një “As” i polifonisë labe. Nuk bëhet fjalë për kënaqësinë që të jep me zërin e tij melodioz në festa e gëzime familjare apo grupime shoqërore, por edhe në skenat e festivaleve të ndryshme kombëtare e ndërkomëtare, ku ka marrë edhe çmime e vlerësime të ndryshme, si: “Laureat i FFK” në Festivalin Folklorik Kombëtar të organizra në vitin 1995 në qytetin e Beratit, Çertifikatë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për pjesmarrjen në FFK të Gjirokastrës, shtator 2009; “Çmimi i Karrierës” në jubileun e V-të të Festivalit Ndërkombëtar “Polifonia në Bylis”. “Çmimi i Dytë” në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar, Opej 2018, “Medalje e Lirisë” në Festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë”, Klinë 2019, “Çertifikatë Mirënjohjeje”, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë nga Shoqata “Polifonia Shqiptare”, etj.

I Ati me Shyqyriun, si “…Zoti me njerëzit”

Pasi jemi njohur me “Odisenë” e vështirësive dhe pengesave të shumta subjektive në rrugën e shkollimit të Prof. Dr. Shyqyri Hysit, natyrshëm lind pyetja: Cilat ishin arsyet e vërteta? Ndoshta, temparamenti dhe karakteri i të atit, Barjamit, i cili për drejtësi e për parime përplasej shpesh me të mëdhenjtë e rrethit. Ja një prej këtyre rasteve: Ishte viti 1983, fund i fushatës së korrje - shirjeve. Në këtë periudhë, Barjami ishte nënkryetar i kooperativës bujqësore Qesarat. Mungonte kryetari, ndaj ai së bashku me sekretarin e byrosë, Mehmet Hyseni, thirren në komitetin e Partisë së rrethit, në një mbledhje me kuadrot e këtij niveli nga të gjtha ekonomitë e tjera bujqësore dhe u kërkojnë ta raportonin “të plotësuar me marifete”, defiçitin real të planit në prodhimin e grurit. Dhe Qesarati kishte peshë të rëndë, pasi ishte një ndër ekonomitë bujqësore më të mëdha të rrethit. Të gjithë pranuan kokëulur, përveç Mehmetit dhe Barjamit, të cilët kundërshtuan prerë këto metoda “të ngopjes me lugë të zbrazët”, edhe pse u vendosën nën akuza tepër të rënda për kohën, si: “… po turpëroni rrethin”, “… po turpëroni partinë”, etj. Që nga ky moment e në vazhdim nuk ka patur ndonjëherë paqe midis Barjamit dhe dy njerëzve më të pushtetshëm të rrethit në atë kohë, siç ishin kryetari i komitetit ekzekutiv dhe sekretari i parë i Partisë.

Por një çështje e tillë nuk do ndikonte dhe aq, nëse pas vrasjes së Zenel Shehut në ‘48-ën, nuk do kishte ndodhur edhe “vetvrasja” e Mehmet Shehut në ’81-shin, me të cilët Hysjat i lidhte një miqësi e hershme familjare, të paktën qysh nga fillimi i shekullit të 19-të. Sepse, tashmë “biografia e keqe” e Barjamit si nip i Baba Sherifit, qe bërë edhe “më e keqe”, pavarësisht detyrave të larta partiake e shtetrore që ai kishte ushtruar e ushtronte; si përgjegjës në sektorin e naftës të Patos - Marinzës, instruktor në aparatin e komitetit të Partisë, Tepelenë, pas përfundimit të shkollës së lartë të Partisë “V. I. Lenin”, kryetar lokaliteti dhe sekretar byroje në Krahës, nënkryetar kooperative në Qesarat, sekretar byroje në Kalivaç, etj. Madje në një moment, kur kësaj lloj “biografije të keqe” nuk i kushtohej aq shumë vëmendje, Barjami është projektuar për drejtues i lartë partie në një rreth të kategorisë së parë. Por më pas, “zigzag”-u i luftës së klasave arriti kulmin, dhe nuk merreshin fare parasysh aspekte të “biografisë së mirë”, si, fjala vjen; që miq të hershëm të kësaj dere të madhe në Kalivaç kishin qenë dhe: Haki Toska, Shefqet Peçi, Asaf Dragoti, Medin Axhemi, Mustafa Asllani, komandaniti i Batalionit “Baba Abaz”, Baba Fejzo Dervishi, etj.

Por pavarësisht presionit që ushtronin faktor të tillë për ta zbutur disi karakterin e Barjam Hysit, ai u përballë në mënyrë dinjitoze me këtë realitet, dhe nuk bëri kompromis as kur pa fare qartë rrezikun për shkollimin e të birit, me të cilin vazhdimisht është sjell, “…si Zoti me njerëzit”, siç thoshte Balzaku. Natyrisht kjo është cilësi e çdo babai, e çdo prindëri për fëmijët e vet, por i ati i Prof. Dr. Shyqyri Hysit, kishte një përvojë jetësore disi më të kultivuar dhe një karakter kaq të fortë, të cilat nuk ndikonin më shumë se sa inteligjenca në veprimet e tij. Ndër mësimet e para udhërrëfyese në jetën e tij ishin ato që niseshin nga parimi se: “Pa forcën e karakterit nuk zotërohet asnjë virtyt, nuk përmbushet asnjë detyrë e lartë”.

Barjami ishte “baba”, edhe kur jepte këshilla për të tjerët e mbante qëndrime parimore ndaj tyre, pasi hynte thellë në zemrën e gjithësecilit e gjykonte qëllimet që ata kishin. Ky lloj modeli e karakteri i tij, ishte i krijuar por edhe i trashëguar, baba pas babai...

Për Malon, të atin e Barjamit, vetëm vlerat dhe virtytet kishin pushtet mbi të. Ato e përcaktoni fatin e tij, edhe kur i kërcënohej jeta, siç ndodhi që në nisje të Luftës së Dytë Botërore. Ndaj dhe ishte një nga 12 kalivaçiotët e arrestuar dhe dërguar në burgun e Qesarat nga forcat italiane, sapo shkelën në këto anë, në prill të vitit 1939. Historitë mbi zotësinë, trimërinë, guximin, zgjuarësinë, bujarinë dhe shumë cilësi të tjera të tij tregoheshin tërë krenari në të gjithë krahinën dhe më gjerë.

 “…njeriu që do të na mposhtë”

Prof. Dr. Shyqyri Hysi, siç e përmendëm dhe në fillim të këtij shkrimi, u përfshi në politikën shqiptare duke u vetofruar, jo duke u katapultuar. Konsultimet e paraprake të një vendmimarrje të tillë, i bëri me masën e njerëzve rreth e qark, jo me kryetarin e partisë. Por, edhe forca politike për të cilën garon, ja krijoi mundësinë, duke kuptuar drejt “natyrën njerëzore” të qytetarëve shqiptarë, të lodhur me makinacionet dhe fytyrat e stërplakura politike të periudhës së tranzicionit. Natyrisht nuk kemi një reflektim të tipit Aristotelian, pasi për të treguar e implementuar një filozofi të tillë, dështuan edhe vet Marksi me Prodonin. Në “Mizërinë” e letrave ndarëse që ata shkëmbyen me njeri - tjetrin, Prudoni besonte, se një gjë e tillë arrihet nga ndryshimi i vetvetes, kurse Marksi kishte bindjen se kjo lidhej me ndryshimin e botës. Gjithësesi, sa më shumë njerëz të besojnë te ndryshimi i vetvetes, aq më shumë ka për të ndryshuar bota. Në rastin konkret, përzgjedhja e Shyqyri Hysit për të kandiduar nën siglën e Partisë Socialiste, përbën modelin se si kjo forcë politike mund të reformohet më tej dhe të bëhet promotore e ndryshimeve social - politike në Shqipëri.

Duke u ndalur në qarkun e Gjirokastrës, konstatojmë se Shyqyri Hysi ka në krah individë të suksesshëm, si ai i ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe kryetarit të bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi. Madje me këtë të fundit, pinjollin e fisit Peçi, Shyqyriun e lidh një miqësi familjare e farkëtuar ndër breza. Ja se ç’tregon vetë ai: “Në përfundim të vitit të stazhit të shkollës së mesme në minierë, përfaqësues zyrtarë në rreth më thonë, se më kishte dalë e drejta e studimit për në Shkollën e Bashkuar. Përgatitem dhe shkoj për të filluar shkollën. Drejtor ishte Rustem Peçi, djali i Shefqet Peçit, mik i gjyshit tim, Malo Hysit. Më shoqëronte babai. Takohemi me drejtorin. Na priti si jo më mirë. Mori shkresat zyrtare të ardhura nga Tepelena dhe shikon që aty nuk figuronte emri im. “Unë e mbaj, i thotë babait, por interesohu me ata të rrethit t’më dërgojnë emrin”. Babai u mendua pak dhe ja kthen drejtorit: “Faleminderit, po e marrë dhe djalin me vete”. Ikëm nga kishim ardhur, kuptohet të lënduar, por dhe disi të fyer. Qëndrova një natë pranë familjes dhe të nesërmen drejt e në minierë…”.

Nga ana tjetër, Shyqyriu nuk është njeri i rreshtit, që duhet të dëgjoj e të hesht edhe kur duhet kundërshtuar. Sepse një gjë të tillë nuk e ka bërë as atëhere një gjë e tillë konsiderohej herezi dhe i rrezikonte të ardhmen, sepse kryente stazhin pas maturës në Minierën e Qymyrgurit Memaliaj. Le më të thumboje ndonjë zyrtar të lartë, siç ndodhi një ditë qershori e vitit 1981. Miniera po ecte keq me planin, ndaj ishte vënë në lëvizje tërë qeveria. Në sektorin ku krynte stazhin Shyqyriu ishte për “ndihmë e kontroll” edhe një zyrtar i lartë nga ekzekutivi shqiptar i asaj kohe. Ai mendonte se plani realizohej me këshilla e fjalime, ndaj u bë i bezdisur me këtë lloj rituali para fillimit të punës. Minatorët shquheshin dhe për humorin therës. “Këtë do të dëgjojmë ne, si hoxhë mëngjes për mëngjes!? Më duket se dashka një koçan, ky, që t’i mbyllet goja!...”, thotë dikush prej tyre. Fjala “koçan” i kujtoi Shyqyriut kallirin e misrit, ndaj dhe e ngacmon me mënyrën e tij, të dëguarin e ministrisë: “Me leje, -i drejtohet Shyqyriu, -të të bëj një pyetje?” Dhe pasi sheh gjestin e tij miratues, shton: “Ç’ka na the për punën, e morëm vesh, po çfarë buke hanin shqiptarët në kohën e Skënderbeut, grurë apo misër?” “Misër, ku kishte grurë atëherë…”. “Mirë e ke, -shton jo pa ironi Shyqua, -paçka se misri erdhi në Europë një shekull më vonë!?...”. Qeshën punëtorët dhe iu drejtuan frontit të punës, ndërsa i deleguari mbeti si guhak.

E njëta gjë, disa vite më vonë, me një diplomat të huaj. Zhvillohej një takim për çështjen e integrimit në Gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të ndryshëm të trupit diplomatik në vendin tonë. Midis tyre dhe konsulli grek, i cili provokoi me legjendën e Kadmit dhe Harmonisë, duke shtruar pyetjen retorike: “E dini nga rrjedh emri i Evropës? Atë e kanë vendosur grekërit…”. Kërkonte të jepte mesazhin se, fenikasit ishin grekë dhe grekët kanë vendosur emrin e Evropës. U ngrita dhe e ndërpreva: Jo, i thashë. Kadmi dhe Evropa ishin motër e vëlla. Ishin bijtë e mbretër Pellazg të Fenikasive. Evropën e dashuroi Zeusi... Tregova legjendën e Evropës dhe të Kadmit me Harmoninë. Nuk e priti mirë dhe u mërzit së tepërmi, edhe nga që ambasadori hungarez konkludoi: “Shqiptarët janë sedimenti i Evropës”.

Këto e shumë shembuj të tjerë sfidues e bëjnë Shyqyri Hysin një model triumfues, që i ofrohet publikut, jo vetëm si risi, por edhe si mirësi; në një realitet ku karaokja politike e së shkuarës vazhdon zëngjirrur, avazin e saj të vjetër…

9 Komente

  1. d
    dridhe like se na fike

    Tema, perhere e me shume po reshqet drejt ´´Zerit te popullit´´ te dikurshem, ku vetem tani ka botuar dy shkrime komunistesh hoxhistesh laramane te musllym qahjajit dhe ketij lloj fetiu.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Niku

      C'eshte ky "gazetar" i gazetes "Lajmetari" te viteve 80, qe shkruan me gabime drejtshkrimore si me qene adoleshent?

      Përgjigjjuni
      1. M
        Messerschmitt

        Universiteti i nje nga Qyteteve me nje Zivilizim nga me te lashte te botes duhet te pastrohet nga gjakdhjeret servi arrixhinji gerrqi.......

        Përgjigjjuni
        1. Q
          Qoftelargu

          Messerschmitt,je nje nga me te ndyret qe komenton,per te mos me i ndyri !!!

          Përgjigjjuni
          1. A
            Arben Kapaj.

            Te lumte dora per kete shkrim qe ben per nje nga njerzit me te mire te Tepelenes qe i bene nder jo vetem Qarkut Gjirokaster por gjithe Shqiperis .Shhqyriu eshte nje Profesor qe gjithcka e ka arritur me mund e sakrifkca , per te tilla figura ka nevoj Kuvendi.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Armand Xh.

              I urojme suksese profesorit se të paktën është intelektual dhe ka bërë disa studime dhe libra, por nuk shkakton dot "termet" te forte sa te shkundi voten populli për të se ka me te fortë se ai në listë. P.S: Lëvdatat e tepërta ja ulin vlerën edhe nëse i ka.

              Përgjigjjuni
              1. "
                "BOHOTINA"

                E lexova komplet. E jashtzakonshme. Per njerez te tille ka nevoj vendi, parlamenti dhe jo interesaxhinj.

                Përgjigjjuni
                1. R
                  Rroftë Shqipëria Evropiane!

                  Keq të shkruhet për njohjen e një kandidati të ri për deputet në Parlamentin e Ri shqiptar?! Çfarë shkruani dhe shkarravitni, o idiotë? Kandidati i ri, i propozuar nga PS është një personalitet i lartë dhe shkrimi tregon mësëmiri biografinë e tij, që të dijë populli, për cilin do të votojë. Legenët e shkarravinave antipatikë janë kontigjenti saliBelerkaraxhiç-it, prandaj nuk e pëlqejnë. Bëjini temenara thritanPreshit dhe saliBishëKaraxhiçit, që janë duke shkuar drejt funeralit dhe gëzohuni, plehëra! Suksese, shëndet dhe fitore për Prof.doctor Shyqyri Hysi dhe PS!

                  Përgjigjjuni
                  1. D
                    Diamant

                    Për Shyqyri Hysin do të votoja edhe po të mos kisha lexuar këtë shkrim-portret ,nga një gazetar që nuk i shpëton dot të kaluarës socialiste..... dhe komuniste !?. E tashmja socialiste nuk ka ardhur kurrë me Edi Ramën...!?.Jam i sigurt që Shyqyri Hysi do t'a ketë të vështirë bashkëjetesën me mendësitë aktuale të politikës Shqiptare në pushtet (me aq sa e njoh).E ardhmja socialiste, është ajo që Shyqyri Hysi do dhe ëndërron ... por le të votohet sepse me njerëz si Ai,në kuvendin popullor ka shpresë për nivel dhe edukatë qytetare !!!.

                    Përgjigjjuni

                    Lini një Përgjigje