Rama: Librat e Fahri Balliut po pushtojnë bibliotekat e shkollave

29 Nëntor 2010, 18:03Politika TEMA

Kryetari i Partisë Socialiste e quan maxhorancën një e djathtë jo liberale, që nuk bën pjesë në familjen e të djathtës konservatore evropiane por një e djathtë që synon “kapjen e pushtetit”. I pranishëm në hapjen e Akademisë së Politikës së PS-së, fondacionit “Qemal Stafa”, kreu i PS akuzoi maxhorancën për qeverisje në mënyrë të padrejtë, marrje peng të lirisë së tregut dhe përqendrimin e pushtetit në një dorë. “Sepse kjo e djathtë që sot ne kemi përballë nuk është një e djathtë liberale, nuk është një e djathtë që qëndron në familjen e të djathtës konservatore amerikane, apo evropiane, por është një e djathtë me synimin e kapjes së shtetit për interesat e pushtetit dhe me një pamje shumë të qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë vendi, tërësisht i kontrolluar në të gjitha nivelet, ku në fakt duhet të garantohet bashkëjetesa mes të ndryshmëve. Është një e djathtë që nuk e pranon të ndryshmen dhe që angazhon përditë një makinë balte kundër të ndryshmes dhe jo thjesht në nivelin e parlamentit ku kjo shprehet në mënyrën e vet më spektakolare, por në të gjitha nivelet deri në bazën e shoqërisë,” akuzoi Rama.

Më tej duke akuzuar mazhorancën në pushtet kreu i PS-së tha se e djathta shqiptare nuk e pranon të ndryshmen, pra të majtën. “Është një e djathtë që nuk e pranon të ndryshmen dhe që angazhon përditë një makinë balte kundër të ndryshmes dhe jo thjesht në nivelin e parlamentit ku kjo shprehet në mënyrën e vet më spektakolare, por në të gjitha nivelet deri në bazën e shoqërisë. Nuk e pranon të ndryshmin si shprehje kushtetuese pushtetesh të pavarura, nuk e pranon të ndryshimin si shprehje opinionesh në media kushtetutshmërisht të pavarura, por realisht nën presionin e vazhdueshëm të pushtetit dhe të parasë”, theksoi kryesocialisti.

Sipas tij Shqipëria është e “kërcënuar nga frika se fjala drejtësi nuk përmban kuptimin”.

Për të konkretizuar abuzimet e kësaj mazhorance, kreu i PS denoncoi një rast

“Ministria e Arsimit ka një fond për bibliotekat e shkollave. E dini ju kush është botuesi më i pëlqyer dhe shkrimtari më i dashur për ata që përcaktojnë blerjen me lekët e taksapaguesve të librave për fëmijëve? Fahri Balliu dhe shtëpia botuese nr. 55. Kjo ka të bëjë drejtpërdrejtë me padrejtësinë si fuqi përcaktuese. Sepse asgjë tjetër përveç padrejtësisë si fuqi përcaktuese nuk mund ta përcaktojë autorin në fjalë dhe shtëpinë botuese në fjalë si motiv në krye të listës së preferencave të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë.

Republikës së Shqipërisë që në Kushtetutën e saj i ka të përcaktuara të gjitha ato liri dhe të drejta që normalisht e mbron Republikën e Shqipërisë nga pushtimi i Fahri Balliut. Ky është thjesht një shembull dhe shumë e shumë të tjerë. Por këtë problem e kanë të gjithë ata njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot japin kontributin më të madh, në kuptimin e peshës që kanë një buxhet, me taksat e tyre. Me taksat e tyre direkte dhe indirekte. Me taksat që paguajmë si detyrim të drejtpërdrejtë dhe asaj që paguajmë nëpërmjet tvsh-së në të gjitha produkte e stër-rritura në çmim,” tha Rama.

Akademia Politike e Partisë Socialiste është një projekt i Fondacionit Qemal Stafa në bashkëpunim me fondacion Friedrich Ebert. Ai vlerësoi projektin si një hapësirë e mundshme për përpunimin e mendimit politik dhe përfshirjen në të, të një gjenerate njerëzish që politika i mban larg.

1 komente në “Rama: Librat e Fahri Balliut po pushtojnë bibliotekat e shkollave”

  1. emin says:

    good job

Comments are closed.

Lini një Përgjigje