Trump kushtëzon Sauditët me akordet e Abrahamit

23 Korrik 2026, 17:55Bota TEMA
Trump kushtëzon Sauditët me akordet e Abrahamit

Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite për programin bërthamor për qëllime civile, është kushtëzuar me përfshirjen e Riadit në Akordet e Abrahamit.

Presidenti amerikan Donald Trump theksoi në një postim në Truth Social se marrëveshja “është plotësisht e varur nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit.”


“Marrëveshja Civile Bërthamore që po bëhet midis Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, e cila ka të bëjë vetëm me përdorimin jo-ushtarak, siç janë ato që Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (dhe të tjerët) tashmë i kanë, do të miratohet, por është plotësisht e varur nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit. Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër Impianteve Bërthamore Civile”, tha Trump.

Në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Trump ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat siguruan normalizimin historik të marrëdhënieve midis Izraelit dhe dy kombeve arabe, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit.


Sudani dhe Maroku që atëherë kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.


Departamenti amerikan i energjisë tha se marrëveshja do të sigurojë qasje të shkëlqyer për kompanitë amerikane në programin e energjisë bërthamore saudite i cili do të përdoret vetëm për qëllime civile.


Në një postim tjetër në Truth Social, presidenti amerikan paralajmëroi rebelët Houthi të Jemenit për bllokadën detare dhe sulmet ndaj anijeve të Arabisë Saudite në Detin e Kuq.

Kreu i shtëpisë së Bardhë tha se nëse sulmet ndodhin sërish, Shtetet e Bashkuara do të mbajnë prgjegjës Iranin, i cili do të përballet me ndëshkime të mëdha ushtarake.


“Një vit më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmuan me shumë forcë Houthi për ndërhyrjen e tyre në biznes dhe tregti, duke qëlluar anijet. Që nga ajo kohë, dhe gjatë konfliktit tonë me Iranin, ata kanë vepruar me shumë përgjegjësi. Fatkeqësisht, tani ata po fillojnë përsëri, duke qëlluar dy anije të Arabisë Saudite. Nëse e bëjnë këtë përsëri, SHBA do ta mbajnë Iranin përgjegjës, në kuptimin që Houthi janë Zëvendësues ose Përfaqësues të Iranit, dhe Irani do të ndëshkohet masivisht ushtarakisht, natyrisht, vetë Houthi, me të cilët jam shumë i zhgënjyer, pasi deri më tani kanë vepruar shumë profesionalisht dhe me zgjuarsi”, tha Trump.

Rebelët Houthi kanë vendosur një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, duke penguar kalimin në ngushticën Bab el Mandeb.

Mbylla e kësaj ngushtice, së bashku me atë të Hormuzit, ka përkeqësuar edhe më tej krizën globale të energjisë për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.

Lini një Përgjigje