Kosove, nis fushata parazgjedhore, 29 subjekte në garë

1 Dhjetor 2010, 18:14Rajoni TEMA

PRISHTINE- Në Kosovë nis sot fushata parazgjedhore për 29 subjektet politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e e para parlamentare, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 12 dhjetorit. Për dhjetë ditë me radhë, partitë politike do të shpalosin programet dhe idetë e tyre. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka ftuar ato për një fushatë të ndershme dhe korrekte.

“U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që fushatën parazgjedhore ta bëjnë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi, duke zhvilluar garë korrekte të programeve dhe ideve, pa nxitur dhe provokuar urrejtje e mosdurim”.

“Një fushatë korrekte dhe demokratike do të na sigurojë votim të qetë e të rregullt dhe përfundim të suksesshëm të të gjithë këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor”, ka thënë Krasniqi.

Gjiashtu Krasniqi ka bërë thirrje për respektim të plotë të Kodit të Sjelljes, i cili është miratuar ditë më parë nga vetë partitë politike.

Nga 29 subjekte politike që do të marrin pjesë në zgjedhje 7 i përkasin shumicës shqiptare, 8 janë nga radhët e komunitetit serb, 4 janë subjekte boshnjake, 2 turke dhe 8 subjekte nga pakicat e tjera.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka kërkuar fushatë më të qetë nga ajo që është para në zgjedhjet e kaluara. Kjo njëherësh është kërkesë edhe e autoriteteve ndërkombëtare që veprojnë në vend.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka akredituar mbi 6,500 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve.

Lini një Përgjigje