Pushteti i bute i Iranit mbërrin në Ballkan

1 Dhjetor 2010, 18:53Blog TEMA

Nga Ionnis Michaletos

Që në fillim të viteve 90-të dhe luftës civile në Jugosllavi, Irani u përpoq të depërtonte në Ballkan duke ngritur organizata shkolloro-fetare, OJQ dhe duke formuar celula për mbledhje informacioni (spiunazhi).

Në saj të presionit të NATO-s dhe BE-së, si dhe nga përpjekjet e vendeve ballkanike, ndikimi iranian është ulur disi, por ende mbetet në formën e pushtetit të butë ngushtësisht të lidhur me strukturat e pushtetit në Teheran.

SHQIPËRIA

Ambasada iraniane në Tiranë

Është veçanërisht aktive në promovimin e interesave të biznesit të ndërmarrjeve shtetërore iraniane dhe të kultivojë lidhje ndër- personale me figura të rëndësishme në Shqipëri. Po ashtu ka financuar botimin e materialeve pro- iraniane në Shqipëri. Gjithashtu ambasada ka vendosur lidhje me tarikatin e rufainjve si edhe me tarikatin e alvetinjve.

Shoqata e miqësisë Shqipëri-Iran

Kjo shoqatë u themelua nga ish- ambasadori iranian në Shqipëri, z.Alibeman Eghbali Zarch. Drejtori i shoqatës është Bedri Bylyku. Shoqata pati aftësi për të anëtarësuar figura të shquara në komunitetin shkencor shqiptar si p.sh. Eduart Sulstarova, Emil Lafe dhe Jorgo Bulo. Grupi që synohet janë ekskluzivisht shkencëtarë, biznesmenë dhe politikanë të nivelit të lartë.

Fondacioni i Kuranit

Fondacioni drejtohet nga universiteti shtetëror iranian “Xhometul Moustafa”, që e ka selinë në qytetin e Qom-it. Ky fondacion dërgon studentë të përzgjedhur shqiptarë për studime fetare në Iran. Fondacioni boton gjithashtu literaturë fetare në shqip. Fondacioni synon shqiptarë të shtresave të ulëta që janë ngushtë nga gjendja ekonomike.

Kolegji Saadi

Është shkollë e mesme për femra, por synon të hapë edhe një kolegj për meshkuj si dhe ka synim afatgjatë është hapja e një universiteti. Kolegji boton edhe libra fetarë. Drejtor i kolegjit është z. A. Asghari. një shtetas iranian që ka fituar edhe shtetësinë shqiptare me dekret të ish- presidentit Berisha. Sipas disa të dhënave, rezulton që ai është kushëri me presidentin e Iranit, Khatami.

Fondacioni kulturor Saadi Shirazi

Është struktura e parë iraniane e vendosur në Shqipëri. Drejtor është Sarouz Falatpisheh. Fondacioni financohet nga Organizata Islamike për Marrëdhëniet Kulturore, e vendosur në Teheran. Qëllimi kryesor i saj është përkrahja e organizmave të tjera iraniane të vendosura në Shqipëri, botimi i literaturës fetare dhe politike pro- iraniane, si edhe organizimi i konferencave të ndryshme. Ndër personalitetet iraniane të ftuara nga fondacioni për të dhënë leksione në Tiranë janë Mohsen Miri, deputet i parlamentit Iranian dhe këshilltar për kulturën i presidentit iranian; Mahmud Khalilzade, deputet dhe drejtor për Europën dhe Ballkanin i fondacionit Saadi Shirazi si edhe Reaza Karami, ish- drejtor i fondacionit. Grupi i synuar nga fondacioni janë qytetarët shqiptarë me arsim dhe të ardhura të mesme dhe të larta.

MAQEDONIA

Rrjeti i pushtetit të butë të Iranit në ambientet shqiptare në Maqedoni u përpoq pa sukses të dukshëm të ngrinte një katedër iraniane në Universitetin e Tetovës si edhe të infiltrohej në dy partitë kryesore shqiptare. E vetmja prezencë e dukshme është organizata “Zëri Ynë”, që drejtohet nga Muhamed Jusufi, një qytetar maqedonas shqiptar etnik. Organizata boton libra fetarë dhe politikë dhe shpërndan trakte. Gjithashtu ka organizuar edhe mitingje publike me pjesëmarrje të kufizuar.

KOSOVA

Irani nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka pak të ngjarë ta njohë në një kohë të afërt. Ka ngritur disa OJQ, por zgjerimi i tyre është shumë i vështirë, ndër të tjera edhe për shkak të konkurrencës së ashpër të forcave syni të Arabisë Saudite dhe Turqisë, si edhe prezencës së fortë të forcave ndërkombëtare policore, ushtarake dhe civile.

OJQ-ja “Koran-Prizreni”, fondacion kulturor

Ai drejtohet nga universiteti iranian “Xhometul Noustafa”. Drejtor është Imami Muhamed Bagher Salehi, vëllai i të cilit është diplomat i lartë. OJQ-ja e ka qendrën në Prishtinë dhe synon të ngrejë një muze të kulturës iraniane si edhe të ngrejë një katedër të studimeve iraniane në universitetin vendor.

OJQ-ja Ehli Bejti

E ka qendrën në Prizren dhe boton literaturë fetare. Ofron edhe bursa për studime fetare në qytetin e Qom-it për studentët kosovarë.

Baza e pushtetit të butë të Iranit, e pasqyruar në mënyrë sinoptike, është disi e pamjaftueshme për ambiciet potenciale të Teheranit për të përhapur ndikimin e tij në Ballkan. Gjithsesi duhet të kihet parasysh fakti që në Turqi dhe më pak në Greqi, Serbi, Kroaci, Bullgari dhe Rumani ekziston një infrastrukturë e gjerë e biznesit iranian. Gjithsesi për shkak të embargove të vendosura ndaj Iranit edhe kjo infrastrukturë pushteti të butë është shumë pak e ekspozuar dhe mund të jetë edhe më e gjerë se sa ajo që dallohet me shikim të parë. Shoqata në dukje jo- iraniane mund të ndjekin të njëjtat synime, por në mënyrë të fshehtë.

Përktheu: Gjergj Thanasi

4 komente në “Pushteti i bute i Iranit mbërrin në Ballkan”

  1. aa says:

    cfare genjeshtrash interesante keni shkruar!
    a ka vazhdim ky tregim apo jo?

  2. shqipo says:

    gjithshka eshte vertete , madje pertej ketyre informacioneve ka edhe te tjera mjafton te kerkoni ne interente dhe do te gjeni per te gjitha keto organizata iraniane faqet zyrtare ne shqip dhe do shihni edhe me teper…keshtu qe “aa” -tekija- juaj ne kete rast nuk vlen dhe ben fiasko

    p.s. tekije – sipas doktines shiite eshte fshehja e besimit dhe mashtrimi i kundershrtareve

  3. Pro Iran says:

    A ka mundësi të shkruani ndonje artikull mbi grabitjen territoriale, ajrore dhe ujore të Shqipërisë nga vendet fqinje, A ka mundësi të shkruani ndonjë artikull sensibilizues për rrezikun serb në Shqipëri, pasi rreth 80 për qind e produkteve ushqimore dhe sanitare në shqipëri vijnë nga serbia. A ka mundësi të flitet për rreziqet e tjera që kërcenojnë drejtpërsëdrejti Shqipërinë, në vend që të mereni me analizat e një analisti grek. Shikoni ujkun…jo gjurmët….

  4. Jorgo says:

    Kujt i intereson ky artikull i nje greku artikullshkrues dhe nje perkthyesi grek i Shqiperise?
    Cdokush ka te drejte te praktikoje besimin e tij (nese eshte kjo qe e lendon me shume artikullshkruesin dhe perkthyesin)…
    Nuk do te ishte me mire qe redaksia e gazetes “Tema” te botonte artikuj ne lidhje me “Vorio Epirin” qe pothuajse i gjithe jugu po merret nga Greqia, si nga ana politike, fetare, kulturore, identitetare etj.?
    Greqia dhe greket e pro-greket ne Shqiperi duan qe ta largojne vemendjen e ndikimit te Greqise dhe shkaterrimit te popullit shqiptar me ane te menyrave te ndryshme, si ne Greqi ashtu dhe ne Shqiperi, duke u marre me organizata iraniane, “terrorizem islam” etj… Allah-Allah… u kthye dynjaja permbys…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje