Katër oficerët e Policisë së Kosovës të suspenduar nga detyra lidhur me incidentin me deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Vokshi, tashmë janë rikthyer në vendet e tyre të punës.
Me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, i cili ka hetuar rastin, ata u janë kthyer punës, pas disa javë qëndrimi në shtëpi.
Rikthimin e tyre në punë e ka konfirmuar për Express edhe vetë Enver Rrustemi, Kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas tij, ditën e martë, pas mbledhjes së të gjitha provave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast, ata i kanë rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, heqjen e masës së suspendimit nga puna me pagesë, për katër policët e suspenduar.
“Ne kemi vlerësuar se kanë përfunduar shkaqet për vazhdimin e masës së suspendimit ndaj këtyre oficerëve të policisë. Tash është çështje e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, për të marrë vendim për rikthimin e tyre në vendet e punës”, thotë Rrustemi për Express.
Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës, tregojnë se shkresat për përfundimin e hetimeve nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës ende nuk i kanë mbërritur Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
“Vendimi i Inpektoriatit për përfundim të hetimeve është marrë të martën në mbrëmje dhe ne ende i presim shkresat”, thotë Bakli Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës për Express.
Sipas tij, brenda ditës do të kuptohet se çfarë vendimi do të marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast, nëse katër policët do të rikthehen në detyrë ose jo.
Pavarësisht kësaj, burime të Expressit tregojnë se mundësitë për kthimin e policëve në vendet e tyre të punës janë shumë të mëdha dhe se një vendim i tillë pozitiv, pritet të nënshkruhet nga shefi i Policisë së Kosovës, në orët e pasdites.
Suspendimi i katër policëve ka ndodhur kur deputetja Albana Vokshi ishte duke udhëtuar për vizitë private në Kosovë, kur në pikën kufitare në Vërmicë, me 14 nëntor të këtij viti, ishte ndaluar nga policia për sjelle të ashpra dhe ofenduese ndaj zyrtarëve të rendit.
Më pas, Gjykata Komunale për kundërvajtje në Prizren e ka dënuar atë me 250 euro gjobë, e cila më vonë pezullohet pasi dyshohet e zyrtarët e larët të dy shteteve janë përfshirë në heqjen e kësaj gjobe.
Madje edhe vetë gjyqtari i çështjes në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prizren kishte deklaruar se deputetja Albana Vokshi ishte sjell në mënyrë shumë arrogante.