Adriatiku po mbulohet nga plehrat shqiptare

9 Dhjetor 2010, 11:06Sociale TEMA

Shishe plastike, mbeturina spitalore e plehra t të tjera kanë vërshuar në plazhet e Malit të Zi. Vendi i origjinës: Shqipëria. Lajmin e bën të ditur agjencia AFP. Në një shkrim të saj citohen ambientalistë dhe zyrtarë të shtetit malazez që shprehin shqetësim për mbeturinat që po vijnë nga Shqipëria në Mal të Zi. Pak ditë më parë Shqipëria u bë problem në Kroaci për shkak se mbeturina me etiketë shqiptare mbërritën në këtë vend. Më poshtë janë raportimet e agjencisë AFP për ndotjen e bregdetit malazez dhe një ekstrakt me shkrime nga mediat kroate për ndotjen nga Shqipëria, mbledhur nga agjencia INA.

Një plazh malazez në bregdetin e Adriatikut është mbuluar me shishe plastike, mbeturina mjekësore dhe pjesë pajisjesh shtëpiake, ka bërë të ditur një grup ambientalit.

Mbeturinat janë sjellë në plazh nga lumi Buna, që është një kufi natyral mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe derdhet në Adriatik, adër qytetit jugor të Malit të Zi, Ulqin, plazhi i të cilit në një distancë prej 12 kilometrash, është ndotur nga mbeturinat.

Xhelal Hoxhiç, drejtues i organizatës jo- qeveritare “Green Step”, i tha AFP se kjo ndotje ndodh rregullisht, por këtë vit është rritur për shkak edhe të nivelit të lartë të ujit.

“Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Buna, uji ka marrë përpara të gjitha mbeturinat dhe i ka derdhur në Adriatik,” thotë Xhorxhe Daboviç, sekretari për mjedisin në Ulqin.

Mbeturinat vijnë nga Shqipëria dhe nga Mali i zi, thotë ai.

Daliborka Pejoviç, kryetarja e agjencisë qeveritare malazeze, u tha medieve lokale se problemi do të zgjidhet vetëm të dy shtetet të zgjidhin problemet serioze komunale dhe të ndërtojnë vende të përshtatshme për trajtimin e mbeturinave siç duhet.

Si Ulqini, ashtu dhe Ada Bojana, janë dy destinacione turistike në lumin Buna.

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha do të vizitonte javën tejtër Malin e Zi për të diskutuar për problemet që kanë të dy vendet në lidhje me përmbytjet, por vizita u shty për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë, i tha një zëdhënës i qeverisë AFP.

Muajin e shkuar, ministria e jashtme e Kroacisë thirri ambasadorin shqiptar për të kërkuar sqarime në lidhje me një sasi të madhe mbeturinash, që mendohet se janë nga Shqipëria, që ndotën bregdetin jugor të Kroacisë.

Gjiri dhe plazhi i mirënjohur Saharun, në anën veriore të ishullit Dugi Otok, para disa ditësh ka gdhirë i mbuluar me plehra.

Pasi plehrat kanë lundruar nga Shqipëria dhe kanë mbuluar brigjet e ishullit Peleshac, një gjë e njëjtë ka goditur edhe gjirin Saharun, ndërsa ekziston frike reale që plehrat mund ta mbulojnë edhe pjesën veriore të Adriatikut, për shkak të rrymave të detit. “Bëhet fjalë për papastërtinë e krijuar si rezultat i rrymave të detit, e besohet se bëhet fjalë për plehrat e ngjashëm siç ishte rasti në rajonin e Dubrovnikut, respektivisht në ishujt Peleshac dhe Mlet”, ka deklaruar zv-kryetari i rrethit të Zarës, Gjani Bunja, i cili shton se megjithatë dëmi nuk është aq i madh sa ishte në rajonin e Dubrovnikut.

“Përmasat e katastrofës nuk janë aq të mëdha, por bëhet fjalë për plehra në pjesën e mbrojtur të natyrës, në të cilën viteve të fundit kemi investuar mjaft. Pjesë nga këto plehra që i kemi gjetur në plazh janë me prejardhje mjekësore ndaj duhet t’ia nisim së shpejt pastrimit”, ka deklaruar Bunja, i cili është i sigurt se plehrat janë nga Shqipëria, fakt që ia ka konfirmuar edhe Mirko Gjingjiç, drejtor i Institucionit Publik për Menaxhimin e Zonave të Mbrojtura të Natyrës në rajonin e Zarës.

“Në disa pjesë të plehrave kemi gjetur ambalazhe, në të cilat shihet qartë se bëhet fjalë për plehra nga Shqipëria, para së gjithash plehra nga qyteti i Vlorës”, ka theksuar Gjingjiç. Pos plehrave mjekësore, d.m.th plehrave infektive, në plazh gjinden edhe plehra shtëpiakë, plastika etj.

“Në plazhin Saharun, në këtë periudhë të vitit zakonisht ka plehra, sidomos kur ka erëra të forta që fryjnë nga jugu. Mirëpo, sasi të këtilla janë shumëherë më të mëdha se rëndom. Bëhet fjalë për afro qindra metër kub plehra, që duhen pastruar sapo të krijohen kushte klimaterike-kohore”, ka thënë Gjingjiç, duke shtuar se pastrimi i plazhit do të jetë si puna e “Sizifit”, duke u frikësuar se gjatë dimrit mund të arrijnë sasi të tjera të plehrave nga Shqipëria.

“Ne i kemi dërguar ministrisë tonë një raport për këtë ndotje”, shton Gjingjiç, ndërsa zv/kryetari i rrethit të Zarës, Bunjam thekson se ata do i bashkëngjiten iniciativës që në nivel shtetëror të dërgojnë një protestë për shkak të derdhjes së plehrave në deti.

Gazetarja e agjencisë Reuters, Deborah Lutterbeck në muajin prill të këtij viti, ka njoftuar për situatën alarmante në Shqipëri, plazhet e së cilës përdoren si vende për depozitimin e plehrave. Pamjet rrëqethëse të maleve me plehra vijnë nga plazhi i Kepit të Rodonit, nja 40 km larg Durrësit. Supozohet se plehrat që kanë arritur në ishujt Peleshac dhe Mlet, janë pikërisht nga rajoni i sipërpërmendur.

Plazhi Saharun, plazh natyror me rërë dhe zhavorr, është i gjatë rreth një mijë metra dhe është vlerësuar për shkak të bregut të rëndësishëm dhe për biodallimet e theksuar detare, ndërsa për shkak të vlerave ekologjiko-natyrore, pozitës dhe bukurisë së rrallë, është shpallur si zonë e mbrojtur në kategorinë e brigjeve të vlefshme dhe të çmuara.

Plazhi Saharun pastrohet çdo verë, ndërsa mes qytetarëve të Zarës është destinacion posaçërisht i preferuar.

back | 08.1

Lini një Përgjigje