Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e para parlamentare pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, pohimet e tij janë përgënjeshtruar me shfaqjen e dëshmive të mashtrimeve të lokalizuara të votuesve në një rajon besnik ndaj tij, shkruan e përditshmja britanike, “The Guardian”.
Përqendrimi i manipulimeve ishte në qendrat e votimeve në rajonin e Drenicës, rajon ky që shërben si bazë solide për PDK-në e Thaçit. Dy komuna, Skenderaj dhe Drenasi, kanë raportuar daljen e votuesve në 93.68%.
Një burim nga komisioni i zgjedhjeve i ka thënë gazetës “Guardian” se në tri vendvotime në atë rajon janë hedhur më shumë vota sesa numri i votuesve të regjistruar për votim. Në njërin vendvotim, sipas “Guardian”, numri i votuesve ka qenë 149 %.
Ardian Arifaj, një analist nga Klubi për Politikë të Jashtme, nga i cili në rajonin e Drenicës janë dërguar nëntë vëzhgues, i ka thënë “The Guardian” se mashtrimet e lokalizuara në Drenicë kanë qenë të mjaftueshme për ta rritur rezultatin në favor të PDK-së.
“Po flasim për mashtrime: njerëz që kanë votuar shumë herë, për frikësime dhe kërcënime ndaj monitoruesve. Këto çështje duhet të merren parasysh”, ka thënë Arifaj, raporton “The Guardian”.