Futbollistët shqiptarë në Europë festojnë me simbolin e shqiponjës

13 Dhjetor 2010, 13:44Politika TEMA

Futbollistët shqiptarë që luajnë nëpër ekipet të ndryshme evropiane, së fundit janë duke i festuar golat në një mënyrë të veçantë dhe që dallon nga herët e kaluara. Ata golave tashmë po iu gëzohen duke formuar me gishtërinj shqiponjën dykrenore.

I fundit që iu gëzua golit në këtë mënyrë, ishte mesfushori i klubit italian Palermo, Pajtim Kasami. Futbollisti shqiptar me prejardhje nga Maqedonia, golit kundër Parmës të shtunën mbrëma iu gëzua duke formuar me gishtërinj shqiponjën dykrenore.

Ndërsa, javën e kaluar, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe sulmuesi i klubit austriak, Rapid Vjena, Atdhe Nuhiu, i cili pasi shënoi gol kundër skuadrës së Riedit, festoi golin duke formuar me gishtërinj shqiponjën.

Sulmuesi shtatlartë me prejardhje nga Prishtina, tregon se kjo ishte hera e parë që kishte festuar golin në këtë mënyrë. Ish-reprezentuesi i Austrisë U21, nuk përjashton mundësinë që edhe golave të tjerë t’iu gëzohet njëjtë.

“Golit të shënuar kundër Riedit i jam gëzuar duke simbolizuar flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore. Kur të shënoj në ndeshjet e tjera, me siguri golin do ta festoj në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Nuhiu për Express.

Por Pajtim Kasami dhe Atdhe Nuhiu nuk janë futbollistët e vetëm shqiptarë që kanë zgjedhur këtë mënyrë për të festuar golat. Edhe sulmuesi i kampionit të Suedisë, Malmo, Agon Mehmeti këtë sezon shumë herë i është gëzuar golit duke formuar me gishtërinj shqiponjën dykrenore.

Po ashtu, edhe sulmuesi kosovar, Najzi Kuqi, që aktualisht është futbollistë i lirë, golat e shënuar disa herë i ka festuar duke bërë shqiponjën. Ish-anëtari i klubit gjerman, Tus Koblenz, për herë të parë këtë e kishte bërë më 16 shkurt të vitit 2008, një ditë para se të shpallet pavarësia e Kosovës.

Mirëpo, nuk janë vetëm futbollistët që po iu gëzohen golave kështu. Edhe futbollistja e suksesshme kosovare, Fatmire Bajramaj, në Olimpiadën Pekini 2008, golin kundër Japonisë e ka festuar duke formuar me gishtërinj shqiponjën.

“EXPRESS”

1 komente në “Futbollistët shqiptarë në Europë festojnë me simbolin e shqiponjës”

  1. keni says:

    e nuk thone kote se gjaku sesht uje sa ma larg atedheut me shume ne e duam i pershendes te gjith mergimtaret e ne mesin e tyre edhe sportistet qe jane krenaria jone dhe te cilet kane mundesin qe para nji publiku shume te madhe neper bote te shprehin edhe ndenjat e diaspores e cila kete mundesi e ka shume here me te vogel RROFTE SHQIPERIA ETNIKE

Comments are closed.

Lini një Përgjigje