Financimi i shkollave private, MASH shpall mekanizmin

11 Dhjetor 2010, 21:02Politika TEMA

Nga Altin Musai

Pas lajmit të papritur të ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj që shkollat private do të marrin fonde nga buxheti i shtetit, pra nga taksat e qytetarëve shqiptarë, dje Ministria e Arsimit dhe e Shkencës zbardhi mekanizmin me anë të të cilit të gjitha këto shkolla do të përfitojnë fondet e taksapaguesve, sikurse përfitojnë edhe shkollat publike, për të cilat paguhen taksat.

Në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar, të publikuar dje nga MASH bëhet e ditur se kriteret do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, duke lënë kështu një mjet më shumë abuzimi për ndarjen e këtyre fondeve. Gjithsesi, në projektligj është përcaktuar se “mbështetja financiare diferencohet sipas renditjes së shkollës për arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore.”

?ë këtë projektligj janë përcaktuar edhe mënyrat e harxhimit të këtij fondi shtetëror, ku thuhet se jo më pak se 50 për qind e fondit mbështetës financiar për shkollat private do të përdoren për “bursa ose/dhe subvencione shtesë të teksteve për nxënësit në nevojë dhe ata me prirje të veçanta, si dhe për shpërblime për nxënësit me prirje të veçanta ose për mbështetjen e tyre për pjesëmarrje në veprimtari të posaçme për ta, si olimpiada, konkurse etj”.

Ajo çka përbën habi në projektligjin e ri është se shpërblimet për nxënësit me prirje të veçanta, pra për talentet, nuk parashikohet për shkollat publike, ku në fund të fundit mësojnë shumica e nxënësve, dhe mbi të gjitha të gjithë ata nxënës, familjet e të cilëve nuk përballojnë dot tarifat e shkollave private, qofshin këto shkolla nëntëvjeçare apo të mesme.

Mënyra e dytë e shpenzimit të fondit buxhetor për shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare private do të jetë më pak se pesëdhjetë për qind e totalit të fondit dhe do të shkojë për “mjete të laboratorëve mësimorë, pasurim të bibliotekës, trajnime të mësuesve”, sipas projektligjit të ri të arsimit të lartë, duke u dhënë kështu një frymëmarrje … pronarëve të shkollave, të cilët nuk do të kenë pse të harxhojnë nga tarifat e studimit të nxënësve për këto të mira, duke i kthyer në realitet në fitime shtesë për bizneset e tyre.

Këtë “risi” ministri i Arsimit dhe i Shkencës e kishte prezantuar dy ditë më parë, gjatë debatit mbi draft-ligjin e ri të arsimit parauniversitar, ku sipas tij parashikohej një “mbështetje financiare për nxënësit, mësuesit dhe infrastrukturën mësimore për shkollat jofitimprurëse që janë klasifikuar ndër shkollat më të mira të vendit”, por që ashtu si dhe me universitetet mund të shërbejë thjesht si një kamuflazh i mirë, ku “drejtuesit” e rinj të shkollave do të jenë në fakt aksionerët e vjetër.

Ministri e prezantoi projektligjin duke thënë se ai pasqyron standardet e parashikuara në Kushtetutë dhe në konventat ndërkombëtare për sa i takon të drejtës për arsim, barazisë për arsimim për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi, për shkak të origjinës sociale, përkatësisë fetare, kombësisë, gjinisë, ngjyrës, gjendjes shëndetësore ose ndonjë shkak tjetër.

3 komente në “Financimi i shkollave private, MASH shpall mekanizmin”

  1. besa says:

    trap minister!

  2. Palla says:

    Ministri eshte product e konceptit qeverises qe zbaohet ne Albanistan.

  3. juna says:

    Na gezon fakti qe shteti rumpalle i kryesuar nga rrumpalla dhe nenrrumpallet e tjere bejne te mundur qe ne nje vend rrumpalle te mbizoterojne projektligje rrumpalle.Ky minister duke qene trap eshte vene ne krye te MASH-it per ta prishur sistemin arsimor e per ta futur ne nje spirale rrumpalle qe populli rrumpalle Shqiptare mos te dije ke hallke shteterore apo qeveritare te kape me pare!E gjithe jeta e vendit eshte kthyer ne rrumpalle ku rrumpallet miratojne ligje,rrumpallet qeverisin,rrumpallet drejtojne arsimin privat,televizionet,jeten e perditeshme te ketij vendi.Rrofte Shqiperia e rrumpalleve qe drejtojne vendin me rrumpalle ne glob.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje