Tafaj: Do u japim para shkollave të mesme private

10 Dhjetor 2010, 21:57Politika TEMA
Tafaj: Do u japim para shkollave të mesme private

Pas skemës së financimit që u jep fonde nga taksat e qytetarëve shqiptarë, universiteteve private, ministri i Arsimit dhe i Shkencës lançoi dje projektin e ri të tij, për të financuar edhe shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme private me fonde publike. Me pak fjalë, që paratë që shkojnë nga taksat tona për të financuar shkollat publike, të përfundojnë edhe në xhepat e pronarëve të shkollave private.

Ministri prezantoi dje draft-ligjin e ri të arsimit parauniversitar, ku parashikohet një “mbështetjes financiare për nxënësit, mësuesit dhe infrastrukturën mësimore për shkollat jofitimprurëse që janë klasifikuar ndër shkollat më të mira të vendit”, por që ashtu si dhe me universitetet mund të shërbejë thjesht si një kamuflazh i mirë, ku “drejtuesit” e rinj të shkollave do të jenë në fakt aksionerët e vjetër.

Ministri e prezantoi projektligjin duke thënë se ai pasqyron standardet e parashikuara në Kushtetutë dhe në konventat ndërkombëtare për sa i takon të drejtës për arsim, barazisë për arsimim për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi, për shkak të origjinës sociale, përkatësisë fetare, kombësisë, gjinisë, ngjyrës, gjendjes shëndetësore ose ndonjë shkak tjetër.

”Në këtë kontekst, duhet të theksuar detyrimi që i vë ligji i ri qeverisë për organizimin e mësimit të gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare për fëmijët e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në përputhje me standardet që parashikojnë konventat ndërkombëtare ku vendi ynë ka aderuar. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm janë përcaktimet që parashikon ligji për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta për të mënjanuar disfavorizimin e tyre në procesin e të nxënit për shkak të aftësive fizike të kufizuara. Ndërkohë ligji konsolidon standardet e ligjit aktual për shkollimin e e fëmijëve të pakicave kombëtare,” – tha Tafaj.

Sipas tij, ai përputhet tërësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar si dhe dokumentet strategjike të BE për zhvillimin e APU. Si dhe krijon hapësirë reale për rritje të cilësisë dhe transparencës së politikbërjes në arsimin parauniversitar.

”Në këtë projektligj sanksionohet qartë roli i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, në të cilin bëjnë pjesë figura të njohura publike për arsimin. P/ligji kërkon që MASH dhe Këshilli i Ministrave të këshillohen me KKAP për çështje themelore të politikave arsimore, si kurrikula, programet mësimore, tekstet, buxheti, rajonizimi i shkollave, kriteret e hapjes së shkollave publike dhe private, politikat e formimit universitar dhe kualifikimit të vazhduar të drejtorëve e mësuesve, mbrojtjen e të dhënave të nxënësve dhe disa aspekte të tjera. Nga ana tjetër, për zbatimin e Strategjisë dhe Politikave të Arsimit Parauniversitar në nivel Qarku, ngrihet një Këshill Ekspertësh që funksionon pranë Prefektit” – tha Tafaj.

Në fakt, draftligji i ri parashikon një rritje të theksuar të rolit të Pushtetit Vendor në zhvillimin e arsimit parauniversitar dhe precizon kompetencat dhe përgjegjësit e njësive të qeverisjes vendore (Bashki/komuna) si dhe të Njësive Arsimore Vendore (DAR/ZA), por ai lë hapësirë që ministri të ndërhyjë në këtë kompetenca.

Prezantimi i projektligjit vijoi nga specialistët e ministrisë të cilët theksuan se ai konsolidon strukturën e sistemit tonë të APU, ku, për herë të parë, p/ligji shprehet për bërjen gati të detyrueshëm të klasës parapërgatitore të arsimit fillor (çdo fëmijë 5-vjeçar duhet të vijojë së paku 1 vit arsim parashkollor përpara regjistrimit në klasën e parë);  vendos standarde të përparuara në formimin universitar të mësuesve të rinj dhe kualifikimin e vazhduar të mësuesve në detyrë (profesion i rregulluar; master i shkencave në edukim për të tre nivelet e APU sipas modelit të Finlandës, kualifikimi i vazhduar sipas modeleve të përparuara); si edhe institucionalizon plotësisht statusin e mësuesit dhe drejtuesit të shkollës në kuptimin e të drejtave, detyrave si dhe procedurave të konkurrimit për emërimin në punë.

“Projektligji sanksionon një strukturë dhe standarde kurrikulare moderne – të mbështetura në përvojën e vendeve më të suksesshme në arsim. Në këtë këndvështrim ligji mbështet tërësisht thellimin e reformës së kurriculës në arsimin parashkollor, të detyruar dhe atij të mesëm. Gjithashtu ai, institucionalizon reformën e altertekstit si garanci për rritjen e cilësisë së teksteve dhe zhvillimit të sektorit privat në fushën e botimeve, si dhe vendos në standarde evropiane vetëvlerësimin e shkollës si dhe Vlerësimin i jashtëm të saj përmes: sondazheve (kampionimit) statistikisht të mbështetura gjatë vitit per klasat e ndërmjetme si dhe provimeve përfundimtare kombëtare, Provimit te Lirimit dhe Matura Shtetërore e finalizuar me Diplomë.  “ – tha Tafaj.

7 komente në “Tafaj: Do u japim para shkollave të mesme private”

  1. shqyptar says:

    Po tet eme ne valle e ke pare ndonjehere o myqerem?

  2. tediruci says:

    Kete financim eshte mire qe ta bejne per shkollat publike qe lene shume per te deshiruar,por kesaj qeverie nuk u intereson, kjo se ne kete menyre mbushin me mire xhepat e tyre e jo se mendojne per nxenesit se qe te gjithe qe jane ne kete qeveri duan te hane nga te gjitha anat Cdo studim qe e bejne mendohen qe tu sherbejne vetem atyre qe jane ne krye dhe jo shumices se popullit.I gjithe populli e di shume mire se femijt e tyre ata i dergojne jashte shtetit te studiojne se e dine shume mire se sistemi i arsimit si dhe ne te gjitha fushta e jetes aty ka mbetur qe ne vitet 1980e ndoshta dhe me keq.

  3. vlonjat says:

    Myqerremi eshte nje cope hajvani. Po te shpetoje njehere ata qe po mbyten ne Shkoder kjo qeverri e korruptuar pastaj te merret me shkollat private.

  4. neritan says:

    po,ketaaa,ja kane kaluar,kusareve!!ndonjehere,,,por,,,ndonjehere,,shteti ndihmon,shkolla private,por qe kane nje reputacion te padiskutueshem,ne bote,,neeee,booooteee!!po,tek ne ,nxenesit,hyjne shul e,,,,dalin,,lloz!!!hajde qeveri ne diete,hajdeee!!

  5. alqi says:

    Sistemi me inferior,me i prapambetur dhe aspak cilesor i arsimit ne Shqiperi ,duket se do te vijoje te mbetet i tille.
    Deri sot njerëzit,studentet ne veçanti, ishin te detyruar te paguanin deri edhe notat ne shkolle(2 ne tre veta paguajne per notat e tyre)dhe me kete pasuroheshin trafikantet e notave,pra individet e veçante.
    Me propozimin e Ministrit per financim te arsimit paruniversitar privat(alias reformë…) duket se do te perfitojne strukturat dhe shtetaret e larte.Ata me parate e taksapaguesve,permes politikave selektive, do te behen shpejt aksioneret ,ortaket ,e institucioneve private arsimore .Thënë shkurt,korrupsioni ne arsim do te ngjitet domosdo me lart.
    Eshte e pakonceptueshme se si merret kurajo te financohet arsimi privat ,kur buxhetimi i arsimit publik eshte mizerabel!!!.

  6. taulant says:

    Eshte e vertete qe universiteti evropian i tiranes eshte prone e argites? Sepse ne tirane kjo flitet gjithandej por nuk di gje te sakte?

  7. Palla says:

    Nuk arrij ta kuptoj se si mund te behet nje gje e tille, dhe ne c’ligj bazohet? Barazia per arsim nuk do te thote se privatet duhet te mbeshteten me fonde publike. Kjo eshte vjedhje , jo shperdorim, dhe kjo ndodh ne Shqiperi sepse njerezit kujtojne se paret e buxhetit te shtetit s’jane paret e tyre. Harrojne se sa perqind ju mbahet nga rrogat, apo taksat e tjera qe paguajne. Habitem, (dhe nuk habitem) se si opozita apo organizata te tjera nuk e denoncojne kete ligj dhe nuk e cojne ne gjykate kushtetuese.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje