Shtatë në dhjetë studentë kanë paguar së paku një herë mit për të marrë një shërbim në universitet. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Këshilli Kombëtar Studentor prezantoi një studim pjesë e projektit “Rrjeti i Studentëve kundër Korrupsionit”.
“Ky projekt do të përfshijë të gjithë universitetet publike e do të përmbyllet me një raport kombëtar mbi korrupsionin në arsimin e lartë. Ky punim paraqet rezultatet e sondazhit të dhjetor 2010, të kryer me studentët e universiteteve publike në një kampion prej 1500 studentësh të anketuar në total. Ky është punimi i parë i këtij lloji dhe do të pasojë raportime të vazhdueshme në mënyrë periodike të shtrira në 10 universitete publike,” tha z. Dika.
Sipas anketës, nga 1500 studentë të Universiteteve Publike të anketuar në fazën e parë të sondazhit në muajin Dhjetor 2010, 17 % prej tyre e konsiderojnë arsimin e lartë si shumë të korruptuar, 68 % prej tyre kanë paguar të paktën një herë ryshfet, 78 % prej të anketuarve shprehen se kanë gjetur zgjidhje me anë të ryshfetit dhe vetëm 32 % janë përgjigjur se s’kanë paguar asnjëherë ryshfet apo të jenë vënë nën presion nga pedagogët.
Studimi arrin në përfundimin se përgjithësisht, studentët shqiptarë mendojnë se vetë institucionet e arsimit të lartë publik nuk janë duke bërë punë të mjaftueshëm kundër korrupsionit 74 % e të anketuarve shprehen se institucionet ku ata studiojnë nuk janë duke bërë sa duhet. Ndërsa 53.3 % e studentëve të intervistuar përgjigjen se media luan rol të rëndësishëm në denoncimin dhe luftimin e këtij fenomeni.
“Besimi i studentëve në institucione vazhdon të mbetet i ulët. Mesatarisht niveli i besimit është i theksuar ndërmjet studentëve të cilët kanë denoncuar një rast korruptiv ndaj atyre që se kanë denoncuar këtë fenomen. Nga ku 26.4 % të studentëve të përfshirë në anketë kanë “denoncuar” këtë fenomen pranë drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa 60.6 % nuk kanë “denoncuar” asnjëherë ryshfetin e paguar duke mos pasur besimin në stafet drejtuese apo në ndëshkimin që duhet dhënë,” – arrihet në përfundim me anë të studimit.
Ndërkaq, sipas anketës, studentët i perceptojnë institucionet si jo-transparente. Rezultatet tregojnë se asnjë nga institucionet e vlerësuara nuk ka marrë më shumë se 7 pikë në shkallën nga 0-10, ku 0 do të thotë “Aspak transparent” dhe 10 do të thotë “Shumë transparent”. Sipas studentëve, institucioni më transparent është Rektori me 7 pikë, me 4 pikë renditet stafi akademik dhe me 0 pikë renditet administrata e cila drejton universitetet.
“Kjo anketë, veç matjes së perceptimit mbi korrupsionin ka për qëllim edhe shqyrtimin e përvojave personale të të anketuarve me korrupsionin. Të anketuarve ju është kërkuar që të shprehen nëse kanë paguar ryshfete me qëllim përfitimin e shërbimeve notë më të lartë apo për të kaluar një provim gjatë periudhës së studimeve dhe në veprimin që ata kanë me stafin akademik. Gjithashtu ata janë pyetur edhe nëse ju është bërë presion nga ndonjë prej pjesëtarëve të stafeve akademike për të paguar ryshfet gjatë procesit të ndërveprimit me ta,” – deklaroi Këshilli Kombëtar Studentor.
KKS theksoi se ndikimin më të madh në këtë raport e kanë pasur studentët të cilët kanë deklaruar se i kanë paguar ryshfet një pedagogu, sekseri apo shefit të departamentit për të kaluar një provim. Përvoja të drejtpërdrejta janë quajtur rastet kur personi ka paguar ose i është kërkuar që të paguaj ryshfet.
Sipas anketës, kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një “mitmarrje”, studentët tregohen më tolerantë kundrejt “dhënësve” të ryshfetit që janë vetë ata së bashku me familjarët dhe më të ashpër kundrejt “marrësve” në këtë rast stafeve akademike. Kështu, një student i cili jep ryshfet vlerësohet si i justifikuar dhe jo i korruptuar.
Comments are closed.
Ku eshte ministri dhe kryeministri t’i pergjigjen ketyre shifrave?