Departamenti amerikan i Shtetit kërkon reforma dhe luftë anti-korrupsion nga qeveria shqiptare
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të tejkalojë ngërçin e saj, i cili sipas DASH është kthyer në një pengesë për zhvillimin e vendit. Zv-ndihmës sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Tom Kantrimen, tha të mërkurën zhvillimi i Shqipërisë është penguar pikërisht nga përplasjet e tejzgjatura politike dhe korrupsioni. “Mosmarrëveshjet politike duhet të marrin fund. Ato nuk i shërbejnë vendit. Madje, ishin një nga shkaqet e refuzimit të statusit të vendit kandidat”, ka deklaruar zyrtari i DASH. Kantrimen ka vlerësuar se në vitet e fundit Shqipëria ka bërë progres, por ka nënvizuar se mbetet ende për t’u bërë, në veçanti në vendosjen e shtetit ligjor. “Duhen kryer një sërë reformash kyçe. SHBA do ta ndihmojnë Shqipërinë jo vetëm për anëtarësimin në BE, por sepse këto reforma janë jetike për demokracinë”, ka shtuar Kantrimen. Komentet ai i bëri në Komisionin për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë i Kongresit Amerikan, që njihet edhe si Komisioni amerikan i Helsinkit, i cili zhvilloi të mërkurën një seancë dëgjimore, për të diskutuar rreth përparimit që është bërë në 7 vende të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballen këto vende në të ardhmen.
Lidhur me Shqipërinë Kantrimen tha se vendi vazhdon të bëjë përparim të mirë drejt integrimit të plotë në institucionet euro-atlantike, duke shtuar se sfidat mbeten të shumta.“Por ky përparim i Shqipërisë është dëmtuar nga korrupsioni dhe mosmarrëveshjet politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita. Mosmarrëveshje të tilla nuk i shërbejnë interesave të popullit shqiptar dhe duhet të marrin fund”, tha ai.
Duke folur për rajonin Kantrimen, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për përparimin e këtyre vendeve, por në fund të fundit, theksoi ai, përgjegjësia për zgjidhjen e sfidave të mbetura bie mbi secilin nga këto vende dhe udhëheqësit e tyre. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar përparim drejt integrimeve euro-atlantike. Sipas folësve në seancë, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është një prej motiveve më të forta të mundshme për t’i dhënë shtytje përparimit të deritanishëm në Ballkan. Zv-ndihmës sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin pranimin në BE të të gjitha vendeve të rajonit.
Comments are closed.
Politikanet e Tiranes se sotme vijne nga ajo shtrese e shqiptareve,qe krijojne NGERCE jo qe i tejkalojne.Qe me 1941 deri tani e dini ju sa NGERCE te pa zgjidhura ka kasta jone politike?
gjithe keto vertetojne se politikanet qe s’krijojne ngerce politike,nuk i lejojne neokomunistet te meren me politike.Ndryshe Ju cenohet CIFLIGU SHQIPERI.Ajo qe befason eshte si,pse,ndihmohen neokomunistet
e Tiranes,duke qene aq klpetokrate nga BE dhe SHBA?