Dhjetori 2010 i gjen më të ndarë se kurrë dhjetoristët e ’90

8 Dhjetor 2010, 15:32Politika TEMA

Nga Blerina Gjoka

Të thinjur, me kostume e kollare, me fytyra plot vetëbesim, me karriera të ndryshme por jo larg politikës, studentë e pedagogë të dhjetorit 1990 që u bënë protagonistë të ndryshimit të historisë së Shqipërisë u mblodhën dje në një sallë që dhe pse e madhe dukej e vogël nën bisedat dhe përqafimet e tyre. Dukeshin aq shumë dje në mbrëmje të mbledhur për një provim libri të themeluesit të PD-së dhe kryeministrit të parë të pluralizmit Aleksandër Meksi. Por në të vërtetë ishin pak. Shumë miq të tyre nuk ishin aty. Dhjetoristët që luftuan për demokracinë pas 20 vitesh nuk guxuan të ishin bashkë dhe pse jetojnë në një vend që duhet te ishte demokratik. Ata që mungonin janë ata që janë sot në pushtet, që janë sot pranë PD-së, partisë që themeluan të gjithë bashkë duke synuar përmbushjen e një misioni, vendosjes së demokracisë dhe shembjen një herë e mirë jo vetëm të sistemit komunist por dhe të mentalitetit komunist, pjellë e atij sistemi.

Të vetmit që guxuan dhe u rikthyen sërish aty në mesin e atyre me të cilët marshuan më 8 dhjetor 1990 nga qyteti “Studenti”, ishin Shaban Memia dhe Bislim Ahmetaj, që të dy mbajnë poste drejtorësh në administratën e sotme të së djathtës. Prania e Gazmend Oketës, deputet aktual i PD-së ishte gjithashtu një përjashtim nga radhët e deputetëve e funksionarëve aktualë të PD-së që për të mos krijuar mëri nuk kanë guxuar të shkelin në atë takim të zhurmshëm në ambientet e UET-së, ku libri i Meksit ishte vetëm një pretekst për tu parë dhe një herë bashkë. Oketa tashmë e ka vijëzuar profilin e tij si antikonformisti i fundit në grupin demokrat, ku prej kohësh është i vetmi që thotë fjalën e tij dhe kur ajo bie ndesh me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ai dukej si delja e zezë mes dhjetoristëve dhe ish-funkisionarëve të tjerë të PD-së ndër vite, qe dje dukeshin më shumë se kurrë, të gjithë të zhgënjyer nga partia për të cilën luftuan në atë dhjetor të paharrueshëm, nga partia së cilës i mveshën më shumë idealizëm dhe misione se sa mund të mbante siç e tregoi koha.

Ata shohin nuk e di nëse me hidhërim apo jo se në atë parti që ata i vunë emrin pas një lufte të fituar bindshëm me pushtetin komunist që nuk donte të largohej lehtë, si një bishë që lufton deri në frymën e fundit, jo vetëm kanë mbetur pak nga ata me të cilët luftuan në atë kohë, por ka shumë nga ata që ishin në anën e kundërt në atë kohë. Mungonin shumë themelues të asaj lëvizje dhjetori, që nga kreu i qeverisë Sali Berisha, Arben Imami apo Arben Demeti, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Blendi Gonxhe. Gjithashtu mungoi nuk di për çfarë arsye Eduard Selami që ndodhet këto ditë në Tiranë dhe pse siç thanë organizatorët e takimit të djeshme pjesëmarrja e tij ishte e pritshme. Por ishin Mitro Çela, Preç Zogaj, Reshep Uka, Merita Zaloshnja, Mimoza Feraj, e cila ashtu si Selami ka udhëtuar nga SHBA për të qenë këtë dhjetor në Shqipëri, Afrim Krasniqi,etj. Në ditët në vazhdim do të shohim pjesën tjetër të medaljes, kur në festat e paralajmëruara nga PD-ja për të kujtuar themelimin e partisë dhe lëvizjen studentore, do të shfaqen protagonistët dhe jo-protagonistët. Nuk do të ishte çudi që të ishte dhe Fatos Nano mes tyre, ish- kryeministri i Partisë së Punës, për shkak të miqësisë së hapur që ka shfaqur me Berishën.

Dhjetori i 2010 ka bashkuar Nanon me Berishën dhe ka ndarë dhjetoristët. Do të festojnë ata që janë sot në pushtet dhe që mesa duket nuk i lidh më asgjë me ata që ishin dje në atë takim që nisi si një promovim libri, por u kthye në një aktiv politik.

Lini një Përgjigje