Tërhiqet uji, zgjerohet protesta ndaj qeverisë

7 Dhjetor 2010, 18:01Politika TEMA

Koha është përmirësuar dhe reshjet kanë ndaluar, por situata për shkodranët nuk është më ndryshe. Në vendet ku kishin vërshuar lumenjtë, situata është më e mirë, për shkak se lumenjtë janë tërhequr, por uji i liqenit të Shkodrës nuk do të tërhiqet kollaj.

Moti pritet të ftohet, por lajmet e mira për shkodranët janë ende të largëta. Nga e enjtja pritet të rinisin reshjet në gjithë vendin. Vetë kryeministri Sali Berisha i ka përgatitur moralisht shkodranët kur u ka thënë se evakuimi nuk do të jetë afatshkurtër.

Qeveria ka vijuar punën e saj për shpërndarjen e ndihmave në disa zona. Por në Fushë- Krujë kanë nisur protestat e banorëve, të cilët akuzojnë qeverinë se nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar situatën e tyre, edhe pse janë kërcënuar shpesh nga përmbytjet.

Velipoja është kthyer në një ishull, pasi është izoluar komplet. Ndihmat për këtë zonë kanë nisur të mbërrijnë nga deti, tashmë që koha është qetësuar. Më përpara ishte problem edhe transporti përmes detit.

Shumë pak vende kanë ofruar ndihmën e tyre për këtë situatë të rëndë. Mediat më të mëdha në botë i kanë kushtuar vëmendje përmbytjeve në Shqipëri. Pamjet e tyre nga helikopteri tregojnë qytetin e Shkodrës duke notuar në ujë.

Dhjetë familje në fshatin Mushan të komunës Dajç kanë thënë se nuk mund të evakuohen për shkak se janë në gjak dhe druhen nga hakmarrja e familjeve të tjera. Ata kërkojnë që shteti t’u dërgojë atyre ushqime dhe materialet e nevojshme për të mbijetuar.

Shumë banorë druhen se askush nuk do marrë parasysh humbjet e tyre në bagëti ashtu siç ndodhi edhe me dëmshpërblimet e janarit.

Në disa qytete kanë nisur edhe rrëshqitjet e tokës. Shpyllëzimi pa kriter dhe mungesa e investimeve për një kohë të gjatë e kanë kthyer erozionin në një problem të frikshëm.

Lini një Përgjigje