Mbarëvajtja e zgjedhjeve të së dielës në Kosovë ka qenë temë e diskutimeve edhe e ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, ku, sipas burimeve diplomatike, disa shtete kanë shprehur shqetësim për raportet e shtuara për parregullsi e madje edhe mashtrime në zgjedhje, njofton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Brukseli. Këto diskutime janë zhvilluar në kuadër të diskutimeve rreth Ballkanit dhe paketës së zgjerimit që është miratuar në këtë takim.
Edhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Steven van Ackere, që kryeson Këshillin e Punëve të Përgjithshme të BE-së, ka thënë pas takimit të ministrave se presin që KQZ-ja të shqyrtojë ankesat.
“Jemi mirë në dijeni se duhet të ndiqen të gjitha procedurat dhe të shqyrtohen të gjitha ankesat. Këshilli i Ministrave është pajtuar se këtë detyrë duhet ta kryejë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet përkatëse”, ka thënë ai.
“Ne nuk duam të ndërhyjmë në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por do të vëzhgojmë me kujdes sesi do të vazhdojë situata rreth ankesave. Raportet e para na bëjnë të ditur se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë paqësore. Për të bërë një vlerësim më të plotë për zgjedhjet duhet të presim se çfarë do të vendosë Paneli Zgjedhor”, ka thënë ministri i Belgjikës, vendi i të cilit ka kryesimin e BE-së.
Edhe në Konkluzat e ministrave të BE-së thuhet se mirëpritet zhvillimi i qetë i zgjedhjeve dhe presin që organet përkatëse të shqyrtojnë të gjitha ankesat dhe parashtresat. Po ashtu bëhet thirrje që, sapo të certifikohen rezultatet, të konstituohet sa më parë Kuvendi dhe të formohet shpejt Qeveria.
Zëdhënësja e komisionerit të BE-së për Zgjerim, Angela Filote, ka thënë se Komisioni është i shqetësuar me raportet për parregullsi në zgjedhje dhe fton autoritetet përkatëse të hetojë këto akuza.
“Është me rëndësi që të rikthehet besimi i qytetarëve në vlerat e zgjedhjeve të lira dhe fer dhe besimin e tyre në institucionet që janë përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor”, ka thënë kjo zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Ndërkaq, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rikujtuar se në deklaratën e përbashkët baronesha Ashton dhe komisioneri Fule kanë përshëndetur popullin e Kosovës për mënyrën paqësore të zgjedhjeve, ndërsa sa u përket parregullsive ato duhet të adresohen nga organet përkatëse në Kosovë. Edhe ajo ka thënë se “BE-ja do të vazhdojë të vëzhgojë për së afërmi se çfarë ndodh në procesin zgjedhor, i cili ende është në vazhdim e sipër”.
Disa diplomatë të BE-së kanë pranuar se prapa “përshëndetjeve” që vijnë nga BE-ja për zhvillimin e zgjedhjeve qëndron frika se në to ka mundur të kishte gjakderdhje, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se duan të nënçmojnë parregullsitë dhe mashtrimet.
“Populli i Kosovës e ka dhënë provimin e pjekurisë demokratike, por kjo, së paku deri më tash, nuk mund të thuhet për organet përkatëse që janë përgjegjëse për zgjedhje. I kuptojmë vështirësitë që në kohë të shkurtër të përgatiten zgjedhjet, por nëse kanë ndodhur mashtrime të qëllimshme kjo nuk duhet të tolerohet”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Siç ka ndodhur edhe më parë, edhe në këtë takim mjaft kohë është shpenzuar edhe për mënyrën se si të përmendet Kosova në dokumente, duke përfshirë edhe në Konkluzat që u miratuan të martën. Shtetet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës kanë kërkuar që në dokumente të thuhet se “BE-ja mbetet neutrale ndaj statusit”, por vendet si Gjermania dhe Britania e Madhe, si dhe disa të tjera, kanë thënë se “është bërë mjaft kompromis rreth kësaj dhe nuk mund të bëhen kompromise të tjera ndaj vendeve që nuk e njohin Kosovën”. Në fund është rënë dakord që vetëm t’i referohet Rezolutës 1244 dhe thuhet se “kjo nuk paragjykon pozitën ndaj statusit të Kosovës”.
Në këto Konkluza Kosova ftohet që të adresojë sfidat, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, emigrimit ilegal dhe të sigurohet liria e shprehjes.
Kosova ka mbetur duarthatë rreth përmendjes së dialogut për liberalizimin e vizave, i cili nuk figuron fare në Konkluzat për Kosovën. I vetmi dialog që përmendet është ai i Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin bëhet thirrje që të nisë sa më shpejt.