Shumë incidente gjatë votimeve në Kosovë

13 Dhjetor 2010, 10:23Rajoni TEMA

Procesi zgjedhor i 12 dhjetorit nuk kaloi pa incidente, të cilat u shënuan në disa komuna të Kosovës.

Përfaqësuesit e koalicionit të OJQ’ve “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se një ndër incidentet më të rënda është evidentuar në Prizren, në qendrën e votimit 2006-a, ku është arrestuar koordinatori i vëzhguesve të Partisë së Bashkimit Demokratik të Prizrenit, për posedim të armës.

“Sa u përket parregullsive të tjera, është shqetësuese një rritje e numrit të votimeve të shumëfishta dhe tentativave për të votuar më shumë se një herë. Kjo është e kombinuar me parregullsitë etike, ku në shumë vendvotime kanë munguar llampat, ujërat vjollcë dhe sprej pa ngjyrë”, ka thënë Veton Muja i DV’së.

Sipas Mujës, në Carravranë të Malishevës, vëzhguesi i “Demokracisë në Veprim” është kërcënuar nga ana e komisionarëve se do të largohet nga vendvotimi. Ndërkaq, në Lugishtë të Hasit, zyrtarë të PDK-së kanë shpërndarë mbushje të telefonit brenda hapësirës së vendvotimeve.

Ndërkohë, policia gjatë ditës ka informuar për shumë raste që kanë penguar procesin zgjedhor.

Në fshatin Biticë të Shtërpcës, kryetari i Komunës, Bratislav Nikolic, ka sulmuar fizikisht kreun e Komisionit Zgjedhor. Ndërkaq, në një qendër votimi në komunën e Malishevës është raportuar se ka ndodhur një rrahje, ku janë përfshirë më shumë se pesë persona. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ndërkaq, edhe një incident ka ndodhur në Malishevë. Raportohet se PDK’ja ka nxjerrë në shesh ekrane gjigante, duke transmetuar spote elektorale. Një veprim i tillë ndalohet me ligj, pasi pas përfundimit të fushatës elektorale, nuk lejohen më reklama të tilla. Po ashtu, në Malishevë është sulmuar fizikisht nënkryetari i Degës së PDK-së, Bali Rudi. Policia lokale ka njoftuar se ka arritur të identifikojë autorët. Ata janë vëllezërit e nënkryetarit të LDK-së për këtë komunë, Fetah Rudi.

Ndërkohë, sipas policisë, në fshatin Biti të Epërme të Shtërpcës, një zyrtar i Partisë Liberale Serbe ka sulmuar një zyrtar të Partisë Socialdemokrate, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Në Zubin Potok, ndërkaq, janë sulmuar vendvotimet. Dy serbë të cilët kanë sulmuar qendrat mobile të votimit në Veri, janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. Ndryshe, në Banovdo dhe në Jashevik të Zubin Potokut janë sulmuar qendrat mobile të votimit me shumë mjete piroteknike. Përveç këtij incidenti, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veri të Mitrovicës, në zonën e Leposaviqit, janë shënuar dy incidente lidhur me procesin zgjedhor. Rreth 40 qytetarë serbë thuhet se janë mbledhur rreth një vendvotimi mobil, si shenjë kundërshtimi me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në atë pjesë të Kosovës, ndërsa bëhet e ditur se po në zonën e Leposaviqit është sulmuar me mjete piroteknike një njësi tjetër mobile e votimit.

Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, ka thënë se lidhur me këtë incident janë arrestuar dy persona të nacionalitetit serb.

Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paraqitur parregullsi të ndodhura në disa qendra të votimit në Prishtinë dhe qytete të tjera, ndërsa kanë pohuar se militantët e LDK’së e kanë sulmuar një anëtar të PDK’së në Malishevë. Zëdhënësi i PDK’së, Blerand Stavileci, gjatë një konference për media ka thënë se po vazhdon presioni i të ashtuquajturit “treni” i LDK-së, ku 150 deri në 300 simpatizantë të këtij organizimi po bëjnë presion ndaj votuesve. I menjëhershëm ka qenë reagimi i LDK’së. Arben Gashi nga kjo parti ka thënë se PDK’ja është ajo e cila ka shkelur heshtjen zgjedhore në Malishevë. Gashi i ka mohuar të gjitha akuzat e PDK’së, duke thënë se kjo parti po e ndien qysh tani humbjen.

Një incident është raportuar edhe në qendrën e votimit në Doganaj të Kaçanikut, ku ka ndodhur një fjalosje dhe shtyrje ndërmjet dy vëzhguesve partiakë, njëri i PDK’së e tjetri i AAK’së, mirëpo incidenti nuk ka rezultuar me qërim fizik hesapesh.

Ndërkohë, komandanti i KFOR’it, gjenerali Erhard Buhler, pas mbylljes së vendvotimeve, e ka vlerësuar ditën e zgjedhjeve në përgjithësi si të suksesshme për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

“EXPRESS”

Lini një Përgjigje