Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, në shkurt të këtij viti, kur Kosova festonte përvjetorin e dytë të pavarësisë, ka qenë i bindur se EULEX-i duhet t’i arrestonte zyrtarët e lartë që janë të korruptuar.
Në një mesazh diplomatik, të publikuar nga platforma e internetit “WikiLeaks”, ambasadori amerikan, me rastin e përvjetorit të pavarësisë bën një përmbledhje të zhvillimeve në vend dhe e informon Departamentin e Shtetit. Mesazhi është pjesë e 250 mijë të tillëve që kanë rënë në duart e “WikiLeaksit” dhe në faza të ndryshme po publikohen nga kjo platformë e i internetit.
“WikiLeaks” ka publikuar së fundi nëntë mesazhe diplomatike ku flitet drejtpërdrejt për Kosovën, gjashtë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe tri nga ajo në Beograd.
Në to shpjegohet për angazhimet e administratës amerikane për veriun e Kosovës, për shqetësimet që ish-ambasadorja amerikane Kaidanow dhe ai i tanishëm Dell kanë për shkak të mungesës së këmbënguljes së evropianëve që të merren masa në veri të Kosovës, dhe për shumëçka tjetër. Mesazhet shpjegojnë edhe qëllimet e qarta të qeverisë së Tadiqit për ndarjen e Kosovës.
Dell i shkruante Departamentit të shtetit, për nevojën që EULEX-i të jetë efektiv. Krahas efektivitetit në veri të Kosovës, Dell kërkonte që EULEX-it edhe të jepte rezultat në arrestimin e “peshqve të mëdhenj” që kishte premtuar asokohe EULEX-i.
Komentet e Dellit janë bërë para se EULEX-i të bënte bastisjet në MTPT disa muaj më vonë dhe të publikonte hetimet në disa raste të tjera.
“Me ndihmën më aktive të EULEX-it, Qeveria e Kosovës duhet t’i përmirësojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, një sfidë shumë e madhe në këtë vend të vogël, ku bizneset zakonisht pohojnë një mbrojtës politik”, përshkruante situatën në Kosovë ambasadori amerikan, në prill të këtij viti që po e lëmë pas.
“Pavarësisht nga vështirësitë, përpjekjet tona institucionale duhet t’u japin prioritet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Publiku duhet të ndihet i sigurt se ligjet po zbatohen për të gjithë. EULEX-i duhet të vendosë aktivitetin e vet dhe t’i bëjë arrestimet e premtuara të zyrtarëve të lartë të korruptuar. Në të kundërtën ne rrezikojmë që reformat në sundimin e ligjit të dështojnë dhe të krijojnë në publik perceptimin se qeverisja është kleptokratike”, shkruante ambasadori amerikan.
“KOHA DITORE”