SHBA-ja frikësohet se Evropa do të bjerë karshi presionit serb për ndarjen e Kosovës, një lëvizje kjo që diplomatët paralajmërojnë se do ta ndezë dhunën etnike.
Mesazhet e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të publikuara në “WikiLeaks”, bëjnë të ditur që zyrtarët e lartë serbë u kanë thënë jozyrtarisht Washingtonit dhe BE-së që Qeveria e Kosovës kurrë nuk do ta marrë kontrollin e plotë mbi territorin e saj, duke bërë presion indirekt drejt ndarjes së vendit.
Zyrtarët e lartë amerikanë e kundërshtojnë me frikë atë që e shohin si fushatë të koncentruar dhe të durueshme të presidentit serb, Boris Tadiq, për ndarjen e Kosovës. Fushatë nga e cila, po të jetë e suksesshme, do të dështojë një dekadë e politikës së jashtme amerikane. Zyrtarët amerikanë në këto mesazhe i kanë dënuar “pavendosmërinë dhe dobësinë” evropiane në këtë çështje.
Njëmbëdhjetë vjet pas sulmeve të NATO-s, dhe gati tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, pakënaqësia serbe dhe përpjekjet e tyre të përditshme për ta marrë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës rrezikojnë me nxitjen e konfliktit etnik, e ka paralajmëruar Ambasada amerikane Washingtonin.
“Dështimi për të vepruar shpejt, do të thotë humbje e veriut të Kosovës, dhe do ta rihapë kutinë e Pandorës të konfliktit etnik, që i ka përshkuar vitet e nëntëdhjeta”, ka shkruar këtë vit ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë, Christopher Dell. “Është koha e duhur për t’u dhënë fund viteve me këto tendenca në veri dhe për ta ndryshuar dinamikën e thellimit të ndarjes mes veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës… Situata aktuale është e papranueshme dhe e dëmshme. Qëllimi është që të ndalet mossuksesi”.
“Koha Ditore”