Thaçi: Brukseli është vonuar me axhendën për Kosovën

9 Dhjetor 2010, 20:46Rajoni TEMA

Kryeministër në dorëheqje dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, Brukseli është vonuar me axhendën për Kosovën evropiane.

Zoti Thaçi, fillimisht, cila është oferta zgjedhore e partisë suaj? Pse duhet qytetari i Kosovës të votojë për ju?

-Partia Demokratike e Kosovës është partia e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, është partia e qeverisjes reformatore, e qeverisjes me njerëzit më të mirë të këtij vendi, partia që ka programin më të qartë ekonomik, të ekonomisë së lirë të tregut, të mundësive të krijimit të vendeve të reja të punës, të fillimit të ndërtimeve të autostradave të shekullit XXI, të mijëra e mijëra kilometrave rrugë të reja, të ambulancave, shkollave, kanalizimeve, ujësjellësve.

Është partia e mundësive të reja në shtetin tonë, partia që po punon për konsolidimin dhe forcimin e Kosovës evropiane.

A keni sfida në përmbushjen e këtyre zotimeve?

-Natyrisht që ka sfida, por ne do t’i realizojmë zotimet tona. Në vitin 2007, qytetarët kanë besuar në premtimet tona, ndërsa tani i besojnë punës sonë, të cilën e ndjen secili qytetar në të mirën e vetes, të familjes së tij dhe të shoqërisë kosovare.

Disa nga partitë politike kanë vënë “vija të kuqe”, thënë ndryshe, në bërjen e koalicioneve të mundshme me partinë juaj. Keni ju “vija të kuqe”?

-Unë dua të ndërtoj një qeveri reformatore, një qeveri integruese, shumëpërfshirëse, një qeveri që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, që do të punojë për Kosovën evropiane.

Ndaj, edhe mesazhi im është “Së pari Kosova – Partia Demokratike e Kosovës”. Koalicioni im është me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Zoti Thaçi, një prej sfidave më të mëdha për qeverinë e ardhshme padyshim që do të jetë integrimi i pjesës veriore. Cilat janë planet tuaja konkrete në këtë drejtim?

-Ne do të vazhdojmë të respektojmë dokumentin e presidentit Ahtisari. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të punojmë në strategjinë për integrim – një strategji kjo që nënkupton sundimin e ligjit, formimin e komunës së re, organizimin e zgjedhjeve në tri komunat e tjera, por edhe investime socio-ekonomike. Do të ndodhë integrimi edhe qytetar, edhe territorial.

Sa mendoni se do të jetë e vështirë kjo, duke marrë parasysh kundërshtimet që vijnë nga veriu i Kosovës? Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kundërshtohet edhe mbajtja e zgjedhjeve të së dielës atje…

-Kutitë e votimit do të hapen edhe në veri dhe kjo do të ndodhë për herë të parë. Kam besim në sukses, kam besim në angazhimet tona të përbashkëta të politikës së shtetit të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Në rrafshin e integrimeve evropiane, cilat mendoni se do të duhej të ishin rrugëtimet kryesore të Kosovës?

-Për 15 muaj, nga janari i viti të ardhshëm, do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne do ta meritojmë liberalizimin e vizave. Brukseli nuk do të vonohet si deri më tani për perspektiven evropiane të Kosovës.

Ndërsa në mandatin katërvjeçar do ta integroj Kosovën në NATO dhe do ta ofroj për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka sfida, por këto sfida janë në të mirën e vendit – do të thotë, implementimi i kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, megjithatë thonë se përcaktimi i afatit prej 15 muajsh nuk është realist. Ju si do të përgjigjeshit?

-Brukseli është vonuar me axhendën për Kosovën evropiane. Ne kemi merituar edhe udhërrëfyesin, edhe liberalizimin e vizave. Kemi implementuar shumë standarde demokratike – më tepër se disa vende të tjera të rajonit që kanë fituar të drejtën e liberalizimit të vizave.

Bashkimi Evropian duhet ta tejkalojë paqartësinë që ka për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Unë besoj në Kosovën evropiane dhe kjo do të ndodhë. Kam kontakte të vazhdueshme me Brukselin. Brukseli ka konfirmuar liberalizimin e vizave.

Një prej çështjeve që do ta presë qeverinë e ardhshme, janë edhe bisedimet e mundshme teknike me Beogradin. Mbi çfarë kornizash dhe rreth çfarë çështjesh pranoni të flisni me Beogradin?

-Takimet do të ndodhin në kohën e përshtatshme, në interesin e dy vendeve dhe të popujve tanë, ndërsa përfundimi i këtyre takimeve do të rezultojë me njohjen reciproke që do t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në fqinjësi të mirë.

Keni porosi për qytetarët e Kosovës për ditën e së dielës?

-Mesazhi im është që të organizojmë fushatë të qetë, të ndershme, të arrijmë standardin perëndimor në këto zgjedhje dhe të kemi një mobilizim për të ardhmen e Kosovës evropiane, zhvillimore, euroatlantike.

Lini një Përgjigje