Bashkimi Evropian nuk i jep premtime Kosovës për fillimin e dialogut për heqjen e vizave, pasi ky është “dialog teknik”, deklaroi në Bruksel Michele Cercone, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Por, sipas tij, Bashkimi Evropian po e analizon përmbushjen e kritereve nga ana e institucioneve të Kosovës për nisjen e dialogut për heqjen e vizave.
Nga ana tjetër, duke u shprehur për zgjedhjet në Kosovë, Angela Filote, zëdhënëse e Komisionarit për Zgjerim, Stefan Fule, tha se BE-ja “shpreson se zgjedhjet në Kosovë do të jenë të lira dhe të ndershme”, raporton REL.
Më tutje, ajo theksoi se Bashkimi Evropian i inkurajon “të gjithë qytetarët e Kosovës, që me daljen në zgjedhje, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike”, në mënyrë që nëpërmjet të votimeve të realizohet programi evropian.
Këto komente ajo i bëri e pyetur nga gazetarët lidhur me raportet se Beogradi u ka bërë me dije serbëve në Kosovë se nuk e mbështet daljen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme në Kosovë, më 12 dhjetor.