Zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë kanë shënuar dje incidentin e parë seriozi, kur një kandidat boshnjak për deputet është vrarë. Rreth orës 14, në fshatin Postenje të Leposaviqit, ditën e djeshme është vrarë në pritë Shefko Sallkoviç, boshnjak nga fshati Rvatska të komunës së Leposaviqit.
Sipas njoftimeve të para jozyrtare, Sallkoviç, i njohur si person luajal ndaj Kosovës, është vrarë në pusi, menjëherë pas ka lëshuar magjistralen e Ibrit, në rrugë për në fshatin e tij. Njoftohet se ai ka qenë duke qarkulluar me automobilin “Toyota”, me targa 522 KS 949, ndërsa është qëlluar nga njerëz që qarkullonin me një “Opel Astra”, me ngjyrë metalike.
Shefko Sallkoviç në zgjedhjet e vjetshme lokale ishte zgjedhur këshilltar komunal në Asamblenë Komunale të Leposaviqit, si përfaqësues i banorëve boshnjakë të fshatrave Rvatska, Zaseok Muminoviç, Vrba, Beberishte dhe Kalin të komunës së Leposaviqit.
Shefko Sallkoviç ishte i njohur si person luajal ndaj politikës së Kosovës. Ai këtë e dëshmoi edhe me rastin e vizitës së Hilari Klintonit, kur në shtëpinë e tij, në fshatin Rvatska të Komunës së Leposaviqit, diku rreth 3 km në afërsi të kufirit Kosovë –Serbi, dhe rreth 50 km në veri-perëndim të Mitrovicës, vendosi një flamur amerikan dhe një kosovar.
“Sot jemi shumë të gëzuar. Kjo është një ditë e madhe për ne banorët boshnjakë të fshatrave Rvatska, Zaseok Muminoviç, Vrba, Beberishte dhe Kalin, por edhe për gjithë Kosovën”, pati thënë përfaqësuesi i fshatrave boshnjake, Shefko Sallkoviç, me rastin e vizitës së Klinton. “Na ka ardhur mikja jonë, burri i së cilës na ka ndihmuar dhe na ka bërë shtet, u jemi mirënjohës përjetë”, u shpreh Sallkoviç, raportonin mediat.
“Këtu valon vetëm flamuri i shtetit tonë, pra i atdheut tonë”, tha Sallkoviç, ndërsa bashkëvendësit e tij e miratonin pohimin e tij. “Ne jemi qytetarë luajalë të shtetit të Kosovës, ndaj edhe kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të na dalë në ndihmë”, kishte thënë Sallkoviç. Nga të shtënat me armë zjarri është plagosur edhe një person tjetër, i cili në kohën e sulmit ishte duke udhëtuar me makinë së bashku me viktimën. Motivet e kësaj vrasje për momentin mbeten mister. Dyshohet që Sallkoviç të jatë vrarë pikërisht për faktin se kandidonte për deputet dhe ishte një mbështetës I pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, policia nuk kërkon që të japë pista të nxituara dhe është shprehur se do të flasë vetëm kur të ketë prova të besueshme