Gjyq për trafikimin e organeve në Kosovë

10 Dhjetor 2010, 11:16Rajoni TEMA
Gjyq për trafikimin e organeve në Kosovë

Akuza për trafikim të organeve, që u ngrit në tetor të këtij viti, ka të bëjë me zhvillimet në një klinikë private në Prishtinë në vitin 2008 dhe thuhet se përfshinë edhe mjekë dhe një person që më parë ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndaj dy personave të tjerë ndërkaq është ngritur një fletëarrest ndërkombëtar dhe ndodhen jashtë Kosovës.

Burime të BBC-së thanë se nëse vlerësohet se akuza ka bazë të fuqishme, seanca do të mund t’i hap pastaj rrugën fillimit të gjykimit ndaj një numri personash të akuzuar për trafikim të organeve dhe krim të organizuar.

Sipas aktakuzës pesë persona dyshohet të jenë të përfshirë në trafikim me organet njerëzore në nivel ndërkombëtar, krim të organizuar dhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme.

Dy persona të tjerë akuzohen për ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dyshohet se grupi i shtetasve kosovarë, sipas aktakuzës, ka qenë i përfshirë në rekrutimin e një numri të shtetasve të huaj të cilëve pretendohet t’u jenë premtuar deri në 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u është kërkuar të paguajnë deri në 100 mijë dollarë.

Akuza për trafikim të organeve është ndërlidhur me një klinikë private në Prishtinë, Medicus, që në vitin 2008, kur dyshohet të jetë bërë një transplatim i paligjshëm i një veshke, ngjarje kjo që çoi në arrestimin e tre udhëheqësve të klinikës dhe pezullimin nga puna të një zyrtari në Minstrinë e Shëndetësisë.

Sipas hetimeve të policisë, dhuruesi i veshkës ishte një shtetas turk kurse marrësi i saj një shtetas izraelit.

Të arrestuarit u liruan pas një kohe por misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX) i vazhdoi hetimet dhe në tetor të këtij viti një prokuror ndërkombëtar ngriti aktakuzën për trafikim organesh.

“BBC”

Lini një Përgjigje