Ambasadori i deritashëm i Republikës së Kosovës në Slloveni, Anton Berisha, nëpërmes një shkrese e ka njoftuar ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, se tërhiqet nga detyra.
Në letrën, e cila iu është shpërndarë dhe medieve, ambasadori Berisha thotë se që nga marrja e detyrë kishte bërë të qartë se “mundësitë e tij për të kryer këtë detyrë janë të kufizuara në kohë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve nacionale”, duke mos dhënë më shumë shpjegime.
Republika e Kosovës e kishte hapur Ambasadën në Republikën e Sllovenisë, ë dhjetor të vitit 2009.
“Kam pasur nderin të emërohem Ambasadori i Parë i Republikës së Kosovës në republikën e Sllovenisë, dhe për një vit, besoj që Ambasada e Kosovës, ka marrë formën e duhur dhe raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë kanë provuar një avancim si në rrafshin politik, ekonomi, kulturor dhe në aspekte të tjera të rëndësishme për të dy vendet. Në kapacitetin jam përpjekur për mbarëvajtjen dhe suksesin e misionit”, shkruan Berisha, në letrën drejtuar presidentit në detyrë, Jakup Krasniqi.
“Meqenëse misioni tashmë është establishuar dhe ka arritur në nivelin e funksionimit konstant dhe në anën tjetër, qëndrimin tim nga marrja e detyrës, se mundësitë e mia për të kryer këtë detyrë janë të kufizuara në kohë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve nacionale, dhe duke pasur parasysh faktin se kemi arritur në atë fazë, e konsideroj të përfunduar angazhimin në detyrën e Ambasadorit të republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë”.
Berisha bën të ditur se i ka kërkuar administratës të përmbyllë të gjitha detyrimet dhe formalitetet e parapara.
Ai ka falënderuar ata që ia besuan këtë detyrë dhe e përkrahën, përfshirë autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Sllovenisë.
Mediat kosovare, para disa muajsh, patën raportuar se afera rreth një çeku 16.2 milionë euro e vitit 2007 mund t’ia rrezikojë postin ambasadorit të Kosovës në Slloveni.
Kjo, pasi që në kohën kur Berisha ishte drejtor i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, garancia bankare e konsorciumit “Kosmocell”, në vlerë prej 16.2 milionë eurosh ishte zhdukur dhe nuk kishte përfunduar në arkën e shtetit. Gjatë verës, EULEX-i kishte filluar ta hetojë ketë aferë.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, kishte deklaruar se askush nuk është mbi ligjin, ka paralajmëruar se nëse vërtetohet implikimi i ambasadorit Berisha në aferën e çekut 16-milionësh të konsorciumit “Kosmocell”, atëherë MPJ-ja do të ndërmarrë veprime karshi gjetjeve të EULEX-it.
“Express”