Zgjedhjet në Kosovë, fillon numërimi i votave

12 Dhjetor 2010, 20:29Rajoni TEMA

Pas mbylljes së qendrave të votimit, në ora 19, ka filluar numërimi i votave në qendrat e votimit.

Derisa po bëhet numërimi i votave, policia është duke ofruar siguri në objektet ku po numërohen votat dhe po sigurohen kutitë e votimit.

KQZ-ja ka paralajmëruar se rreth mesnatës mund të dalë me rezultatet preliminare.

KQZ: Deri në 15:30, votuan 34.10 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën e mbajtur për shtyp në orën 17, ka bërë të ditur se deri në orën 15:30, kanë votuar 34.10 për qind e votuesve.

Ndërkohë, Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka demantuar videon e publikuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ku shihej një person me fletëvotime në duar, jashtë vendvotimit.

“Nuk është aspak e vërtetë. Do të dalim më vonë dhe do ta dematojmë atë video-incizim”, theksoi Daka.

Sipas KQZ-së, nuk bëhet fjalë për fletëvotime, por udhëzues si të votohet dhe që janë shpërndarë nga disa parti.

Deri në orën 11:30, votuan 11.11% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se deri në orën 11:30, kanë votuar 11.11 për qind e votuesve. Pas mesditës, pasi moti është më i ngrohtë, pritet që përqindja të rritet në mënyrë të shpejtë.

Reporterët e Express-it nga terreni tregojnë për radhë në mjaft qendra votimi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencë për media, të orës 13, tha se në përgjithësi procesi zgjedhor po rrjedh normalisht në tërë territorin e Kosovës.

“Incidentet e ndodhura në disa komuna janë të izoluara që nuk do të mund ta dëmtojnë procesin zgjedhor dhe se me to po merren organet e rendit”, ka thënë Daka.

Ajo ka konfirmuar se ka pasur probleme me llambat ultra-vjollcë, por sipas saj, ky problem teknik tashmë është i tejkaluar.

Gjithashtu, sipas saj, edhe dalja e votuesve serbë në veri të vendit është e kënaqshme.

Megjithë raportimet se në veri ka pasur kërcënime për ekipet mobile, Daka u shpreh se sipas informatave që kanë në veri të Kosovës janë të hapura vendvotimet fikse, sikurse dhe ato mobile, dhe se votimi, edhe pse në përqindje të vogël, po shkon në rregull.

KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimeve

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimeve në Kosovës dhe se procesi zgjedhor është duke rrjedhur pa probleme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë në konferencën e parë për media se sipas informacioneve që posedojnë nga terreni të gjitha 746 qendrat e votimeve me 2280 vendvotime janë hapur në ora 7.00.

“Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimit janë hapur dhe se procesi është duke u zhvilluar shumë mirë”, ka thënë Daka.

Për më tepër, ajo ka bërë të ditur se edhe në veri sikurse edhe në pjesën tjetër janë hapur vendvotimet, por nuk ka mund të konfirmojë nëse ka pasur votues serbë që kanë dalë të votojnë, duke thënë se për këtë do të sjellin informacione në konferencën e radhës në ora 13.00.

“Vendvotimet, si dhe ekipet mobile në komunat veriore janë hapur sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja për pjesën veriore dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar me rregull”, ka thënë ajo.

Daka ka bërë të ditur se në veri ka vendvotime fikse dhe ekipe mobile, ndërsa këto ekipe janë të përbëra nga ndërkombëtarë, por ka edhe shqiptarë.

Për sa i përket shpalljes së rezultateve preliminare, Daka ka përkujtuar se në këtë aspekt nuk ka ndonjë limit kohor dhe se për këtë do të dihet në konferencat e radhës gjatë ditës se kur do të dilet me rezultate.

Express

Lini një Përgjigje