Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, në mënyrë që siguria në vend ditën e diel të jetë në nivel të lartë. Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme në dorëheqje, thotë se Policia e Kosovës është e gatshme për çfarëdo sfide në ditën e zgjedhjeve, duke e marrë parasysh edhe përvojën nga zgjedhjet e kaluara. “Policia jonë ka përvojë, duke e marrë parasysh që në zgjedhjet e mëparshme ka pasur plane operative specifike për zgjedhje. Hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim, do të bëjnë që Kosova të jetë një ambient i sigurt për t’u mbajtur zgjedhje të qeta dhe të sigurta”, thotë Xhelili për Radion Evropa e Lirë. Sipas Xhelilit, masat shtesë operative janë ndërmarrë në pjesën veriore, ku së bashku me policinë e EULEX-it, janë marrë hapat e duhura në drejtim të sigurimit të hapësirës së volitshme për të votuar dhe do t’u mundësohet edhe qytetarëve serbë, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, të kenë mundësinë të votojnë.