Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka prezantuar sot planin për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet. Rama theksoi se shtimi i komunitetit mysliman në Tiranë, shton nevojën për ndërtimin e një xhamie të re, ku besimtarët do të kenë mundësinë që të kryejnë ritet e tyre fetare. Xhamia e re do të ndërtohet në qendër të Tiranës. “Duam që Tirana të ketë një hapësirë të re, ku të përçojë shprehjen e unikalitetit të vet, një shprehje të një pasurie ku të gjithë, besimtarë myslimanë ose jo, të jemi krenarë dhe të vetëdijshëm për vlerën e paçmuar të kësaj pasurie”, u shpreh Rama gjatë prezantimit. Sipas Ramës, xhamia e re që do të ndërtohet, pritet që t’u shërbejë të paktën 2500 besimtarëve myslimanë. Forma që do të ketë xhamia, sipas Ramës, do të përcaktohet nga arkitektët që do të shpallen fitues të këtij projekti.