Organet e shtetit

18 Dhjetor 2010, 20:52Politika TEMA

“The Economist”

Një referendum i suksesshëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Kështu i përshkroi kryeministri Hashim Thaçi zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë më 12 dhjetor, të parat që nga pavarësia në vitin 2008. Partia Demokratike e zotit Thaçi pretendon se ka fituar zgjedhjet me 33.5 përqind të votave. Por lajmet që pas mbylljes së votimeve kanë qenë aq të këqija, sa kjo e ardhme nuk mund të merret si e mirëqenë.

Vëzhguesit zgjedhore thanë menjëherë se ka pasur manipulim të gjerë. Dy ditë më vonë, Këshilli i Europës lëshoi një draft raport eksploziv, nga Dick Marty, një politikan dhe ish- prokuror zviceran, që e implikon zotin Thaçin në trafik narkotikësh dhe vrasje.

Pjesa më e madhe e asaj që thotë raporti është e njohur, por zoti Marty pretendon se ka gjetur mbështetje për këto histori, të cilat më parë ishin hedhur poshtë për mungesë provash.

Pretendimi më shkatërrues është se zoti Thaçi dhe grupi i tij i ish- komandantëve guerilas nga rajoni i Drenicës janë përgjegjës për vrasjen e serbëve dhe të burgosurve të tjerë në Shqipëri në vitin 1999 për t’u marrë veshkat.

Që nga ajo kohë, thuhet në raport, shumë agjenci të huaja që merren me luftën kundër trafikimit kanë identifikuar zotin Thaçi si të implikuar në tregtinë e heroinës në rajon. Amerika dhe miqtë e tjerë të huaj të Kosovës e kanë toleruar këtë skandal për hir të stabilitetit.

Këto akuza shpifëse janë hetuar më parë, thotë qeveria e Kosovës, dhe kanë rezultuar të pabaza. Qeveria ka akuzuar zotin Marty se punon në emër të Serbisë, një pretendim që shumë kosovarë do e besojnë. Zoti Thaçi madje mund të tentojë ta kthejë këtë çështje në avantazhin e tij duke përdorur tonet nacionaliste për të thënë se kjo nuk është koha e mirë për sherr në shtëpi, në një kohë që armiqtë e Kosovës janë hedhur në sulm.

Megjithatë, thekson një burim diplomatik, pretendimet e kanë dëmtuar autoritetin e kryeministrit, veçanërisht me të huajt.

Zoti Thaçi ndoshta nuk do u kushtojë vëmendje manipulimeve zgjedhore. Deri më tani rastet më flagrante vijnë nga zemra e PDK-së në Drenicës, ku një vëzhgues denoncoi mashtrime në “shkallë industriale”. Petrit Selimi, një aspirant për deputet i PDK, përgjigjet duke thënë se i vjen keq për këto vogëlsira, por partia e tij do të kishte fituar gjithsesi. Nuk është kështu, thonë partitë e opozitës. Rreth 171 ankimime janë depozituar, duke shtyrë formimin e qeverisë së re. Arben Gashi, një zyrtar i lartë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, opozita kryesore, thotë se duhet të mbahen zgjedhje të reja. Pa to, argumenton ai, një qeveri e udhëhequr nga Thaçi, nuk do të ketë legjitimitet. Por një palë zgjedhje të reja duken jashtëzakonisht të pamundura.

Kështu që zoti Thaçi mund të jetë në gjendje të formojë një koalicion me një ose më shumë parti të vogla shqiptare dhe me ndihmën e minoriteteve kosovare, përfshi partitë që përfaqësojnë ato pak serb që kanë votuar.

Por dyshimet për manipulim, trafik organesh dhe narkotikësh do të pengojnë çdo tentativë të qeverisë për të futur Kosovën në rrugën e integrimit evropian. Kjo do e bëjë më të vështirë për Bashkimin Europian që të nisë një dialog mes autoriteteve në Kosovë dhe Serbi, ashtu siç ishte i prirur. “Ishte keq më përpara,” thotë Arbër Gorani i Iniciativës Kosovare për Stabilitet, një think-tank. “Tani është më keq. Kosova nuk mund ta përballojë këtë.”

Lini një Përgjigje