Nga Besar Likmeta dhe Gjergj Erebara
Balkan Insight
Kritikët thonë se skemë e qeverisë për pullat e reja, që synon të ulë kontrabandën e cigareve dhe alkoolit- është edhe e shtrenjtë, por ka mundësi që të mos jetë as efektive
Një skemë prej disa miliona eurosh për pullat e reja fiskale, që ka si synim të luftojë tregtinë ilegale të cigareve dhe alkoolit, mund të jetë e kushtueshme dhe jo-efektive, sipas një hetimi të Balkan Insight.
Sistemi i pullave të reja fiskale, i mundësua nga “SICPA Securities” nuk është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të luftuar tregtinë ilegale të produkteve të cigareve.
Për më tepër, sistemi nuk ka të dhëna se ka reduktuar trafikun në ato vende ku është aplikuar dhe nëse kjo është zgjidhja e duhur, mbetet ende një çështje e hapur.
SICPA ka fituar një kontratë ekskluzive koncesioni për të furnizuar me pulla fiskale qeverinë shqiptare në një vlerë prej dhjetëra miliona euro për mbi 35 vjet.
Pullat printohen si një provë që janë paguar taksat ndaj qeverisë. Ato përmbajnë teknologjinë e nevojshme që lejon të gjurmohen produktet që kur lënë fabrikën e deri në rrjetin e shpërndarjes.
Qeveria thotë se kjo teknologji e gjurmimit, do të ndihmojë për të luftuar kontrabandën e cigareve, pijeve dhe produkteve të tjera, duke sjellë më shumë të ardhura për shtetin.
Megjithatë, kompanitë e cigareve janë ankuar se tenderi për dhënien e kësaj kontrate ekskluzive nuk ka qenë transparente. E kontaktuar nga Balkan Insight, SICPA ka refuzuar që të japë komente për këtu akuza. Edhe Ministria e Financave nuk iu është përgjigjur shumë kërkesave për koment.
Kosto të shtuara, përfitime të paqarta
Më 27 shkurt të vitit 2005, Shqipëria u bë një nga 160 vendet që ratifikoi Konventën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kontrollin e duhanit.
Ndër detyrimet që përfshihen në këtë traktat përfshihet edhe sistemi i gjurmimit të cigareve për të kuptuar se nga vijnë, miratimi i ligjeve më të forta kundër kontrabandës dhe sigurimi se cigaret që konfiskuara do të shkatërrohen.
Palët nënshkruese të kësaj konvente kanë rënë dakord për negociata shtesë për të ulur kontrabandën e cigareve. Negociatat për këtë protokoll nisën në vitin 2008 dhe mund të kompletohen vitin që vjen.
Luk Joossens, një ekspert ndërkombëtar për kontrabandën e cigareve, thotë se një sistem i saktë gjurmimi i lejon autoritetet të bëjnë një hetim të plotë në momentin që kapen cigaret e kontrabanduara. Kjo u jep hetuesve të dhëna të plota se kush i ka prodhuar dhe kush i ka shitur.
“Qëllimi i këtij protokolli është që të kontrollojë rrjetin furnizues dhe dërgesat e mëdha kur udhëtojnë nëpër botë,” thotë
Joossens.
I papërshtatshëm për Shqipërinë?
SICPA pretendon se ka zhvilluar një sistem të plotë dhe funksional gjurmimi.
Ky sistem përdor të dhëna dimensionale, të printuara në paketim me një bojë të padukshme për syrin, por që lexohen nga një skaner xhepi. Në të shkruhen emri dhe adresa e distributorit, data dhe vlera.
Megjithatë, më 22 shkurt 2010, në një raport konfidencial të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që është siguruar nga Balkan Insight, theksohet se pas “ekzaminimeve të afërta të sistemit, ai mbulon vetëm disa aspekte të autenticitetit.
Sipas të njëjtit raport, sistemi gjurmues i SICPA nuk plotëson kërkesat minimale të gjurmimit, për shkak se kodet nuk janë të lexueshme për syrin e njeriut dhe nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të kodimit në seri.
“Sistemi i sigurisë së pullave të SICPA është direkt i varur në ngritjen e një rrjeti të ngushtë e të sigurisë së lartë, që përbën problem sigurie edhe për në vendet më të zhvilluara, e në mënyrë të paevitueshme do ketë probleme të mëdha në vendet më pak të zhvilluara,” thuhet në raport.
Thuhet se sistemi nuk është efektiv në bazë të kostos dhe i papërshtatshëm për burimet e kufizuara për vendet në zhvillim.
“Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në raportin e tij për sistemin e gjurmimit e thotë qartësisht se sistemi i përdorur në Turqi nga SICPA nuk është i përshtatshëm,” thotë Janine Cameron, një menaxhere për avokatinë ndërkombëtare të tregtisë ilegale pranë “British American Tobacco”.
Sipas Anshu Banarjee, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipërisë, afatet e protokollit do të finalizohen dhe shtetet nënshkruese do të kenë afatet kohore të përmbushjes së tyre dhe detyrimet që duhen plotësuar nga Shqipëria do të bëhen të detyrueshme në një pikë gjatë kontratës së gjatë ekskluzive të SICPA-s.
“Unë mendoj se duhet të nisin dikur me sistemin e gjurmimit, por ata kanë rreth pesë vite kohë përpara se mekanizmi aktual të plotësojë kriteret e kërkuara,” thotë Banarjee.
Kalifornia e implementoi sistemin SICPA në vitin 2005 dhe shpesh është cituar si një histori suksesi nga mbështetësit, për shkak se të ardhurat nga taksat janë rritur me 100 milion dollarë pas instalimit.
Megjithatë, një studim i vitit 2009, i realizuar nga Departamenti i të Ardhurave në Indiana, që mori në konsideratë sistemin SICPA, raportoi se këto pretendime nuk janë korrekte, për shkak se pullat e kriptuara mund të falsifikohen lehtësisht.
“Brenda një muaji që kur programi i pullave të kriptuara nisi në Kaliforni, Zyra e SHBA për Alkoolin, Cigaret dhe Armët e Zjarrit, zbuloi pulla të falsifikuara në të gjithë shtetin,” thuhet në raport.
Të ardhurat në Kaliforni u rritën me 0.5 përqind në vitin 2005 e 2006, pas implementimit të sistemit të pullave të kriptuara dhe masave të tjera ligjore, thuhet në raportin e Departamentit të të Ardhurave.
Megjithatë, nga viti 2006 deri në vitin 2008, të ardhurat ranë me 6.8 përqind për shkak se trafiku nuk ishte ndaluar.
Sipas raportit, një makinë për aplikimin e pullave kushton nga 125 deri në 150 mijë dollarë për prodhuesit e shitësit e mëdhenj, e rreth 800 dollarë për supermarketet- të gjitha kosto që shkojnë në shpinën e qytetarëve.
Joossens, që e ka parë sistemin SICPA në Brazil e në Kaliforni, thotë se ai punon mirë në nivel kombëtar, por nuk punon mirë kur bëhet fjalë për nivel ndërkombëtar, kur kontrabanda i kalon kufijtë. Kjo për shkak se vendet e tjera nuk mund të lexojnë kodet e printuara për të gjurmuar se kush i ka prodhuar apo shitur cigaret kontrabandë.
“Në Brazil, sistemi SICPA nuk mund të ndalonte kontrabandën e cigareve nga vende të tjera si Paraguaji,” shton Joossens.
Ankesat për tenderin
Cigaret e kontrabanduara në Shqipëri përbëjnë pjesën më të madhe të cigareve që shiten. Sipas një raporti të vitit 2008 të
Euromonitor International Illicit Trade, taksat paguhen për vetëm 45 përqind të cigareve që u shitën në vend në vitin 2006.
Në shtator të vitit 2009, pas një propozimi të dhënë nga SICPA, Këshilli i Ministrave hapi procesin e tenderimit për një koncesion 35- vjeçar për një sistem gjurmimi.
Më 23 dhjetor, parlamenti ndryshoi ligjin që i njihte pullat fiskale si një “monopol shtetëror”, duke lejuar dhënien për kompani private pas miratimit nga Kuvendi.
Ofertat për tenderin u hapën më 2 shkurt, kur komisioni i përzgjedhjes në Ministrinë e Financave skualifikoi të vetmin konkurrent të SICPA.
De La Rue Security më qendër në Britani, dha një ofertë më të ulët, por u skualifikua për shkak se nuk ofroi në kohën e duhur dokumentacionin që kishte paguar taksat.
De La Rue, një kompani publike e listuar në Bursën e Londrës, printon monedhën britanike dhe siguron teknologjinë dhe letrën për rreth 150 monedha të tjera. Më përpara ka fituar kontrata me Bankën e Shqipërisë për të prodhuar lekun shqiptar.
Komisioni i tenderit deklaroi se kjo kompani nuk kishte provuar se kishte eksperiencë direkte në implementimin e një sistemi gjurmimi për pullat fiskale.
Kompania bëri një apel, por iu rrëzua. Një zëdhënës i saj nuk komentoi për këtë çështje duke thënë se kompania ishte fokusuar në projekte të tjera.
Megjithatë, kompanitë e cigareve si Philip Morris, British American Tobacco dhe Japan Tobacco janë ankuar se tenderi nuk ka qenë transparent, se sistemi i shtrenjtë i SICPA nuk do të ulë shitjen e cigareve kontrabandë, në një kohë që në tregun shqiptar cigaret shpesh shiten pa pullë ose me pullën fiskale të vendeve të tjera.
Ata janë ankuar në shumë autoritete, përfshi kryeministrin Sali Berisha, por thonë se kanë marrë një përgjigje që nuk i ka lënë të kënaqur.
Kompanitë thonë se ky sistem do rrisë çmimet për pullat dhe kjo do bjerë në shpinën e konsumatorëve.
Comments are closed.
Berisha dhe Bode e dine mire se kush e kryhen kontrabanden e cigareve.
Tashme kane vendosur te luftojne kete kontrabande me “çimka”.
Mos valle ka lidhje Dick Marti me kompanine zviceriane qe Sala dashuron aq shume. Do presim te dalin ne drite fakte se kush kane qene ata shqiptar(ish SHIK-as) sipas Trap Martit, qe te bejme lidhjet, qe cuditerisht gjithmone lidhen me njera-tjetren ne pika kyce te historise
Mos valle ka lidhje Dick Marti me kompanine zviceriane qe Sala dashuron aq shume. Do presim te dalin ne drite fakte se kush kane qene ata shqiptar(ish SHIK-as) sipas Trap Martit qe kane dhene fakte per marrje organesh nga roberit serb, qe te bejme lidhjet, qe cuditerisht gjithmone lidhen me njera-tjetren ne pika kyce te historise